Padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kryeministrisë për mosimplementim të Ligjit për duhanin

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe një qytetare që vuan nga astma kanë ngritur padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së Kryeministrit për mosimplementim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Ligji (Nr. 04/L-156) për Kontrollin e Duhanit përcakton se pirja e duhanit është e ndaluar në vende publike të mbyllura, siç janë lokalet shërbyese, të cilat kanë kulm të lëvizshëm apo jo, dhe të cilat janë të rrethuara me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh materialin e përdorur dhe se a është struktura e përhershme apo e përkohshme.

Pavarësisht kësaj, sipas GLPS-së, pothuajse në çdo kafene apo restorant në Kosovë ekziston një strukturë e tillë ku lejohet pirja e duhanit edhe pse është shprehimisht e ndaluar me ligj.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo gjë përbën një dështim të institucioneve publike Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së Kryeministrit të Kosovës të cilat e kanë për detyrë të kontrollojnë dhe implementojnë Ligjin për Duhanin. Gjithashtu, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga pandemia e duhanit vdesin 8 milionë njerëz çdo vit, ku 7 milionë vdekje janë si rezultat i pirjes aktive të duhanit, kurse 1.2 milionë vdekje janë si rezultat i ekspozimit ndaj tymit të duhanit, pra pirjes pasive apo pirjes së dorës së dytë të duhanit. Gjithashtu, tymi i duhanit shkakton sëmundje të shumta si dhe posaçërisht paraqet rrezik për jetën e qytetarëve të cilët kanë astmë apo sëmundje të tjera kronike respiratorë”, thuhet në njoftimin e GLSP-së.

Sipas GLSP-së, me këtë padi synohen të mbrohen të drejtat dhe shëndeti i qytetarëve.

“Mosimplementimi i ligjeve siç është Ligji për Duhanin nuk krijon respekt për institucionet publike, përkundrazi krijon mosbesim të thellë dhe mospërfillje ndaj tyre si dhe dëmton sigurinë juridike në Kosovë. Prandaj, me këtë padi synohet që të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve si dhe të krijohen mekanizma të duhur për implementimin e plotë të Ligjit për Duhanin”, thuhet në njoftim.