Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden, ka shpalosur një paketë për ndihmën ekonomike për sa i përket pandemisë në SHBA, në vlerë prej 1.9 trilion dollarë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Biden pritet të inaugurohet si President i SHBA-së më 20 janar.
“Jo vetëm se e kemi domosdoshmëri ekonomike për të vepruar tani – besoj se e kemi detyrim moral”, u shpreh ai në një adresim mbarëkombëtar.
Propozimi, i quajtur Plani Amerikan i Shpëtimit, do të shpejtonte programin e vaksinimit, duke përmbushur njëherësh qëllimin e Biden për administrimin e 100 milionë vaksinave deri në ditën e 100-të të presidencës së tij.
Nëse paketa miratohet në Kongres, do të përfshinte 1 trilion dollarë për familjet amerikane – pagesa direkte prej 1,400 dollarësh për secilin qytetar.
Propozimi për ndihmë gjithashtu përfshin dhe 415 dollarë për luftimin e pandemisë dhe 440 miliardë dollarë për bizneset e vogla.