Eurostat zbardh emigracionin masiv, Shqipëria e gjashta në botë për leje qëndrimi në BE

Shqipëria u rendit e gjashtë në botë në vitin 2019 sa i përket lejeve të qëndrimit që shtetasit e saj kanë në shtetet e Bashkimit Europian.

Të dhënat janë publikuar nga Eurostat, sipas të cilit për shtetasit nga Shqipëria janë dhënë deri në fund të vitit 2019 rreth 868 mijë leje qëndrimi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Eurostat, Në fund të vitit 2019, qytetarët e Marokut ishin grupi më i madh që mbanin leje qëndrimi të vlefshme (2.0 milion), pasuar nga shtetasit e Turqisë (1.9 milion), Ukrainës (1.3 milion) dhe Kinës (përfshirë Hong Kongun; 1.0 milion). Këto ishin shtetësitë e vetme që kishin më shumë se një milion leje qëndrimi të vlefshme.

Shifrat e tjera larta u regjistruan për qytetarët e Sirisë (974 000), Shqipërisë (868 000), Algjerisë (700 000), Rusisë (689 000), Indisë (555 000) dhe Serbisë (504 000). Qytetarët e këtyre 10 vendeve zënë më shumë se gjysmën (51%) të numrit të përgjithshëm të lejeve midis qytetarëve jo-BE që mbajnë leje qëndrimi të vlefshme në BE-27.

Ndërsa renditet e gjashta në botë për numrin e lejeve të qëndrimit që janë dhënë për shtetasit e saj, Shqipëria e vogël, me vetëm 2.85 milionë banorë, renditet e para në botë për lejet e qëndrimit, në raport me popullsinë e saj. Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, për shtetasit shqiptarë, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë Shqipërinë janë dhënë  304 mijë leje qëndrimi për 1 milionë banorë, që është 4. herë më e lartë sesa shteti i dytë pas nesh, Serbia (shih grafikun: Lejet e qëndrimit dhënë nga vendet e BE-së, për 1 mln banorë, deri në fund të 2019-s).

48% e lejeve janë dhënë në Itali 

Sipas të dhënave të Eurostat, 48% e lejeve të qëndrimit janë dhënë për shtetasit shqiptarë nga Italia, për një total prej rreth 417 mijë personash.

Në vend të dytë është Greqia, me 43%, ose 371 mijë persona.

Gjermania ka kaluar në vend të tretë, me 43 mijë lejë qëndrimi, ose 5% të totalit.

Në vend të katërt është Franca, me 11 mijë persona, ose 1.3% të totalit.

Shtetet e tjera kanë dhënë mesatarisht më pak se 5,500 leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.

Burimi: Eurostat, përpunime të Monitor, bazuar në të dhënat e popullsisë nga Worldometer

Burimi: Eurostat, përpunime të Monitor