Disa vende turistike heqin kufizimet, por kërkojnë ‘pasaportën’ e vaksinës kundër COVID-19

Shprehja ‘Pasaportë vaksine’ ka një efekt sigurues, pavarësisht se nuk është ekzaktësisht si dokumenti tradicional i udhëtimit që mban çdokush.

Por, e shpalosur në një pikë kalimi kufitar, ajo mund të hapë dyer udhëtimi që për shumëkënd janë mbyllur nga COVID-19.

Disa destinacione, si Seychelles, Qipro dhe Rumania, kanë hequr kërkesat për karantinë për vizitorët që mund të provojnë se janë vaksinuar.

Reklama e sponzorizuar

Të tjerë, si Islanda dhe Hungaria, janë hapur për njerëzit që janë shëruar nga COVID-19. Dhe, e gjithë kjo, ngre perspektivën se prova e imunizimit mund të jetë bileta e artë për të rilansuar udhëtimet dhe duket një lajm i mirë për njerëzit që duan që tani të prenotojnë pushimet e verës, pas muajsh të tërë izolim, ndërkohë që vaksinimi po merr jetë.

Pasaporta e vaksinës mund të çojë në hapjen e restoranteve, bareve, kinemave dhe ambienteve të tjera të argëtimit, mbyllja e të cilëve ka shkaktuar jo pak probleme.

Edhe kompani teknologjike po përpiqen të përfshihen duke zhvilluar aplikacione në smartfonë apo portofolë digjitalë, në të cilët individët mund të upload-ojnë detajet e testeve të koronavirusit apo vaksinimit, transmeton tch.

E gjithë kjo po mbështetet gjithnjë e më shumë nga industria e udhëtimeve. Organizata botërore e turizmit, ka bërë apel këtë javë për miratimin e pasaportës së vaksinës, si pjesë e masave më të gjera që do të kthenin botën sërish tek udhëtimet.

Por sidoqoftë, koncepti i pasaportës së imunitetit, mbetet ende në perspektivë dhe mund të mos jetë në dispozicion për pushimet e verës së këtij viti.

Ideja u diskutua gjerësisht edhe në Bruksel, por pavarësisht dakordësisë për të ka edhe shqetësime se përdorimi i një pasaporte vaksinimi për të lehtësuar udhëtimet mund të rezultojë në trajtimin e të pavaksinuarve si qytetarë të dorës së dytë.

Kjo do të çonte në skenarë ku restorantet apo baret do të kërkonin provën e vaksinimit për klientët që kërkojnë thjesht një gotë verë, ose kompanitë e udhëtimit që i privojnë shërbimin të pavaksinuarve.