Pothuajse gjysma e parave që Qeveria e Kosovës i ka borxh konsorciumit “Bechtel-Enka” për vonesat në pagesa dhe zvarritje të punimeve, janë paguar tashmë.
Borxhi i mbetur tani kap vlerën rreth 28 milionë euro, derisa pjesa e fundit e borxhit parashihet të derdhet në konton e kësaj kompanie deri në qershor të këtij viti. Ndërkohë, që punimet për ndërtimin e kësaj autostrade ende nuk kanë përfunduar.
Vonesat në pagesa dhe zvarritja e punimeve gjatë ndërtimit të autostradës që synonte të shkurtonte largësinë mes Prishtinës dhe Shkupit, i kushtoi buxhetit të shtetit më të varfër në rajon me miliona euro humbje.
Shteti i Kosovës u detyrua që t’i paguajë kompanisë “Bechtel&Enka”, e cila po e ndërton autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”, hiç më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave.
Si afat për kthimin e këtij borxhi ishte dhënë qershori i këtij viti, derisa pagesa do të bëhej në disa pjesë.
Por, një pjesë e këtij borxhi veçse është kthyer tashmë.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se borxhi ndaj “Bechtel&Enkas”, ende nuk është paguar plotësisht. Deklaron se deri tani janë paguar vetëm 25 milionë euro.
Ndërsa, pjesa e fundit e borxhit thotë se do të derdhet në konton e kësaj kompanie deri në qershor të këtij viti.
“Borxhi 53 milionë euro nuk është paguar ende dhe ai do të paguhet në disa pjesë. Deri tani janë paguar 25 milionë euro”, ka thënë Lekaj.
I pari i Ministrisë së Infrastrukturës ka folur edhe për punimet që po bëhen aktualisht në këtë autostradë.
Lekaj ka thënë se punimet kanë rifilluar dhe se po zhvillohen varësisht prej kushteve atmosferike.
Por, për kohën se kur kjo autostradë do të lëshohet në qarkullim, ai nuk ka dhënë detaje, ani pse në bazë të kontratës, autostrada do të duhej të lëshohej për qarkullim në dhjetor të vitit të kaluar.
“Punimet në autostradën Arbën Xhaferi kanë rifilluar dhe ato zhvillohen varësisht nga kushtet atmosferike meqë ende nuk ka filluar mirë sezoni ndërtimor. Ky gjigant infrastrukturor pritet të lëshohet në qarkullim sapo të kenë përfunduar punët finale këtu”, ka thënë Lekaj për Express.
Ndryshe, për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.
Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar.
Pas kësaj Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh.
Kjo autostradë synon të shkurtojë largësinë në mes të dy kryeqyteteve (Prishtinë-Shkup) dhe të ndikojë në rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes më të lehtë të njerëzve nga të dy vendet.
Autostrada “Arbën Xhaferi” që filloi të ndërtohet në korrik të 2014, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar mbi 600 milionë euro.