Koalicioni ad-hoc i përgjigjet Kelkosit: Deklaratat e Shpresa Loshajt janë të mbështetura në fakte, liria e shprehjes mbrohet me Kushtetutë

Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile ka mbajtur sot konferencë për medie, me rastin e dorëzimit të përgjigjes në padinë e ngritur nga kompania Kelkos ndaj aktivistes Shpresa Loshaj.

Adem Lushaj, aktivist nga Deçani, lexoi një deklaratë të dërguar nga Shpresa Loshaj, e cila thekson se kjo padi agresive ndaj saj po tregon qartë se Kelkosi ka shumë çka për të fshehur dhe mbuluar.

“Për këtë edhe po lëshohen në masa ektreme. Po më padisin për fakte që ne si Deçanas i kemi para sysh qe gati 10 vjet, por edhe janë të dokumentuara nga institucionet publike, Avokati i Popullit dhe shoqëria civile. Por sa shumë qe po mundohen të mbulojnë evidencën dërrmuese për krimet e tyre mbi Grykë të Deçanit, aq më shumë janë duke rrëshqitur më poshtë. Më paditën mua se ndoshta menduan se do të jem vetëm, por ne ju dëshmuam ndryshe. Falënderoj dhjetëra, mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora për mesazhe mbështetëse, ofrim të ndihmës profesionale, financiare dhe çdo gjë të mundur vetëm që të mbrohemi nga Kelkosi. Dua të ju siguroj se tentimet e tyre të na heshtin nuk na trembin syrin, por vetëm sa na e kanë forcu vendosmërinë, dhe na kanë bashkuar edhe më shumë në mbrojtje të vendit dhe demokracisë tonë, e ne nuk do te ndalemi #DERINEFUND!”.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, avokatja Rina Kika tha se Kelkos ka paditur aktivisten mjedisore Shpresa Loshaj dhe ka kërkuar nga ajo që t’ia paguajë:

(1) dëmshpërblimin 100,000 euro për dëmtim të reputacionit;

(2) të kërkojë falje publikisht për deklaratat e dhëna dhe

3) të përmbahet në të ardhmen nga deklarata të tilla.

Kelkos pretendon mes tjerash se Shpresa pa u bazuar në asnjë fakt, ka deklaruar publikisht (1) se Kelkos ka prodhuar rrymë me vite pa leje mjedisore dhe (2) se Kelkos ka degraduar mjedisin në Grykën e Deçanit.

Ajo theksoi se të gjitha deklaratat e Shpresës janë të mbështetura në fakte dhe janë të mbrojtura me lirinë e shprehjes që mbrohet me nenin 40 të Kushtetutës sonë.

“Deklarata e Shpresës se Kelkos ka prodhuar rrymë me vite pa leje mjedisore e pa licencë mbështetet në Raportin e monitorimit të ndërmarrjes Kelkos Sh.p.k. të datës 14 dhjetor 2016, të cilin e ka nxjerrë ZRRE. Në këtë raport konstatohet se në mungesë të lejes mjedisore ZRRE nuk i ka lëshuar licencë për operim dhe se pavarësisht kësaj Kelkos ka vazhduar me operimin e HC Deçani dhe HC Belaje, pa licencë dhe pa leje mjedisore. Në Raportin vjetor 2018, ZRRE konstaton sërish se nga data 1 prill 2016 Kelkos ka vazhduar operimin komercial pa licencë e pa leje mjedisore. Prandaj deklaratat e Shpresës se Kelkos ka prodhuar rrymë me vite pa leje mjedisore janë deklarata të bazuara në fakte dhe mbrohen me lirinë e shprehjes”, tha Kika.

Avokatja theksoi se Shpresa ka shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese për tu shprehur lirshëm për një çështje me interes publik siç është mbrojtja e mjedisit dhe ujërave andaj ne sot e kemi dorëzuar përgjigjen në padi dhe kemi kërkuar që Gjykata në Deçan ta refuzoj padinë si të pabazuar.

Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL tha se është hera e dytë që si përfaqësues të shoqërisë civile gjenden para kësaj ndërtese të gjykatës në Deçan, për të përkrahur aktivistët e paditur me padi SLAPP.

“Fatkeqësisht padia vjen nga e njëjta kompani, vetëm ndryshojnë emrat e aktivistëve dhe shifrat e kërkuara si dëmshpërblim. Unë sot përfaqësoj këtu zërin e mbi 75 OJQ-ve dhe aktivistëve dhjetëra organizatave të shoqërisë civile të cilat i japin mbështetje Shpresës në këtë rast, sikurse edhe Adriatikut vitin e kaluar. “Përveç që i japim mbështetje Shpresës, gjithashtu shprehim shqetësimin tonë për trendin e përdorimit të padive SLAPP ndaj aktivistëve dhe gazetarëve. Ne konsiderojmë se paditë SLAPP nëse do të jenë të suksesshme në Gjykatë do të përbënin një kërcënim të demokracisë dhe të drejtës së lirisë së shprehjes”.

Sipas saj, Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile do të përcjellë dhe mbështesë edhe me tutje rastet e tilla dhe do të vazhdojmë të punojnë në luftimin e padive SLAPP.