​Qytetarët mund të mbesin pa targa të automjeteve nëse infektohen punëtorët

Në Agjencisë së Regjistrimit Civil, shumë qytetarë kanë pritur sot në radhë për të marrë targat për automjete, të cilat ishin në mungesë tash e disa muaj, derisa drejtues të kësaj agjencisë thonë se nuk ka nevojë për tollovi për shkak se kanë mjaftueshëm targa.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Regjistrimin Civil, Bekim Hoxha, ka thënë se nga sot do të lëshohet sistemi elektronik për caktimin e radhës së qytetarëve që presin në qendrën e regjistrimit të automjeteve.

Hoxha i bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes ndaj virusit Covid-19, derisa shton se deri më tani janë infektuar 5 punëtorë civil në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, si dhe 7 punëtorë tek Shërbimi Civil.

Reklama e sponzorizuar

Hoxha tha se mungesa e furnizimit me targa u ndikua nga procedurat e ankimit nga operatorët ekonomik, por që në këtë aspekt ka ndihmuar edhe pandemia.

Cilësia e targave sipas tij u kontrollua nga forenzika dhe se u bë vlerësimi i tyre.

“Ka disa muaj që kemi pasur një mungesë të furnizimit me targa, janë dy faktorë që kanë ndikuar. Procedura e tejzgjatur që ka qenë në procedurat e ankimit nga operatorët ekonomik… dhe e dyta pandemia po e bënë të vetën…Cilësia e targave para se të pranohen është komisioni i pranimit që merret me to, dhe i vërteton që janë në rregull. Ne çdo mostër që vjen bëjmë një incizim të mostrave nga instituti përkatës që në këtë rast është forenzika që në komform të dokumentacionit bëhet edhe vlerësimi i targave”, tha ai.

Hoxha po kërkon mirëkuptim nga qytetarët, pasi ata po krijojnë tollovi. Ai bëri thirrje për qytetarët që të kenë kujdes, pasi që ata për momentin kanë pesë punëtorë të infektuar dhe mund të ketë rrezik për mbyllje të qendrës, gjë që qytetarët mund të mbesin prapë pa targa.

“Unë kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve që të kenë kujdes se për shkak të problemeve që po na shkaktojnë ata…Për momentin qendra për pajisje me targa ka 5 persona të infektuar dhe tek dokumentet 7 por unë duke menduar të mos e mbylli shërbimin, t’i ofrojmë shërbime sa më të shpejta dhe sa më efikase qytetareve, jam duke u dal në ndihmë qytetarëve…Në këtë moment veç jemi duke e lëshuar një sistem të radhës me numra dhe besoj që pasdite pas orës 13:00 do vazhdojmë me sistem të ri të radhës, pasi e kemi bërë gati tash e disa ditë, kemi filluar me dokumente që kemi lëshuar në punë javën e kaluar, dhe tash do të lëshojmë edhe për automjete, dhe mendoj që ky problem do të zgjidhet. Unë lus qytetarët të kenë mirëkuptim, të na kursejnë neve, se nëse ne kemi probleme, ne detyrohemi ta mbyllim qendrën dhe nuk mund të pajisemi me targa për shkak të problemit me Covid-19” tha ai

Hoxha shtoi se në vitin e ardhshëm qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin vetë shkronjat në tabelat e tyre, dhe se nga sot të gjitha qendrat për gjendje civile në Republikën e Kosovës janë duke punuar.

“Informojmë se sot këtë javë, të hënën kemi filluar të gjitha Qendrat në Republikën e Kosovës janë duke funksionuar…kemi pasur javën e kaluar disa probleme në Kamenicë dhe në Kllokot dhe kjo është rregulluar, dhe tani janë të gjitha duke funksionuar”, ka thënë ai.

Anton Krasniqi, një qytetarë që ishte pa targa qe dy javë, sot tha se gjithë shërbimin për marrjen e tabelave e përfundoi për 15 minuta. Ai tha se qytetarët duhet të kenë kujdes derisa presin në radhë.
“Që 2 javë, mua për besë 15 minuta më ra me pritë, çka do që thonë të tjerët nuk e di, mua 15 minuta më ra me pritë…Çdo njëri normal frikësohet, duhet me pas kujdes edhe nuk i afrohesh 1 metër e gjysmë dhe mban maskën” tha ai.