Visa pritet të lejoj bërjen e pagesave me kriptovaluta

Kompania Visa ka njoftuar se do të lejojë përdorimin e kriptovalutës për të bërë pagesa në platformën e saj.

Visa kishte nisur programin pilot për pagesat me Crypto.com dhe njofton se planifikon që të rris partneritetin me kompani të tjera, përcjell Telegrafi.

Njoftimi i Visa vjen pasi disa nga firmat kryesore, duke përfshirë BNY Mellon, BlackRock dhe MasterCard kanë pranuar kriptovalutat si mjet pagese.

Reklama e sponzorizuar

Ditë më parë, shefi ekzekutiv i Space X, Elon Musk kishte njoftuar se veturat e Tesla mund të blihen me Bitcoin.

“Tashmë ju mund të blini makinën Tesla me Bitcoin”, kishte shkruar Musk në Twitter.

Javë më parë, Tesla kishte blerë 1.5 miliard dollarë në vlerë të Bitcoinit dhe tha se së shpejti do të pranonte pagesa në këtë monedhë.

Aktualisht vlera e tregut të kriptovalutave është 1.8 trilion dollarë, ndërsa Bitcoin përbën rreth 60 për qind të tregut.