Ambasada amerikane e shqetësuar për paralizimin e KQZ-së nga presidenti Thaçi

Ambasada e SHBA në Prishtinë, përmes një deklarate ka shprehur shqetësimin për vonesën e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, duke e pamundësuar kështu funksionalizimin e këtij institucioni.

Në vazhdim teksti i plotë i Deklaratës së Ambasadës së SHBA në Prishtinë:

Jemi të shqetësuar me vonesën prej më shumë se një vit të emërimit të dhjetë përfaqësuesve në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ). Dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore; më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës. Ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike. E nxisim presidentin Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ për t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës, përfundon Deklarata e Ambasadës së SHBA.

Reklama e sponzorizuar