Krejt çka duhet të dini për rregulloren e re të karantinës në Zvicër

Rregullorja vlen vetëm për situatën në Zvicër, ndërsa procedura për karantinën në lidhje me udhëtimin, për rastet e kthimit në Zvicër nga jashtë nuk është rregulluar ende. Prandaj ata që kthehen nga vendet me rrezik, nuk lirohen nga karantina.

Të martën, Christof Berger, kryetar i Komisionit Federal për Çështjet e Vaksinimit (Ekif), ka informuar mediat për një ndryshim të rregullores së karantinës.

Në vazhdim, po japim përgjigjet më të rëndësishme për këtë rregullore, gjegjësisht ndryshimet e bëra, duke u mbështetur në deklarimin e Berger

Reklama e sponzorizuar

Deri më tani, personave të vaksinuar u është dashur të hyjnë në karantinë për dhjetë ditë pas kontaktit me një person që ka rezultuar pozitiv.

Rregullorja e re thotë: “Bazuar në të dhënat shkencore, Ekif dhe BAG vijnë në përfundimin se personat që kanë kryer plotësisht vaksinimin (kanë marrë dy dozat) nuk karantinohen për gjashtë muaj pas kontaktit me një person të infektuar, transmeton albinfo.ch. Ky përjashtim nga karantinimi mvlen 14 ditë pas vaksinimit të dytë.

Kur zbatohen ndryshimet?

Sipas Berger, Ekif dhe BAG  “dokumentet përkatëse do të kompletohen në ditët në vijim dhe më pas ato mund të zbatohen në kantone”.

Përse saktësisht gjashtë muaj

Sipas Berger, efekti mbrojtës i vaksinimit është provuar deri më tani si i sigurt për të paktën gjashtë muaj pas dy dozave të marra.

Çfarë ndodh pas kësaj?

Pas përfundimit të të gjashtë muajve, sipas gjendjes aktuale të njohurive, efekti mbrojtës i vaksinës nuk është i dëshmuar pa dyshim, dhe pas kontaktit me një person të infektuar, personat e vaksinuar duhet që megjithatë të mbahen në karantinë.

“Vlerësimi i rregullt i të dhënave për mbrojtjen e personave të vaksinuar do të tregojë nëse mund të rritet kohëzgjatja prej 6 muajsh e përjashtimit nga karantina,” thotë Berger.

Nëse jam vaksinuar, a duhet të futem në karantinë në rast se kthehem nga një vend me rrezik?

Po. Sepse përjashtimi vlen ekskluzivisht me kontaktin me një person të infektuar. Rregullorja pra vlen vetëm për situatën në Zvicër, ndërsa procedura për karantinën në lidhje me udhëtimin, për rastet e kthimit në Zvicër nga jashtë nuk është rregulluar ende, ”thotë Berger, përcjell albinfo.ch. Thjesht, përjashtimi nga karantina nuk zbatohet për rastet e kthimit nga pushimet në një vend me rrezik.