Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka anuluar raportimin e tij para Komisionit Parlamentar për legjislacion, ku është dashur të raportonte në lidhje me letrën kërcënuese që ua kishte dërguar të gjithë punëtorëve të Telekomit, raporton KTV.
Letra thoshte se të gjithë punëtorët do t’i nënshtroheshin Komisionit Disiplinor dhe ndjekjes penale nëse vërtetohet se kanë nxjerrë dokumente në publik.
Kryetarja e komisionit, Albuena Haxhiu, ka thënë se një letër e tillë është në kundërshtim me ligjin për sinjalizuesit.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, e ka cilësuar të panevojshëm takimin pasi sipas tij letra s’është shkelje e ligjit për sinjalizuesit, por kërkesë për respektimin e rregullores së ndërmarrjes dhe mosnxjerrjes së dokumenteve konfidenciale.
Ai është kundërshtuar nga Haxhiu dhe deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi. Ata kanë theksuar se falë raportimeve dhe dokumenteve që kanë dalë në publik e që nuk janë konfidenciale është zbuluar një rrjet kriminal i instalimit të nepotizmit në Telekom.
KTV-ja ka disa javë që po raporton për punësimet e familjarëve të njerëzve në pushtet në këtë ndërmarrje.