​Kosova ende me treg të çrregulluar farmaceutik, kërkohet miratimi i shpejtë i ligjit

Kosova vijon të ketë treg të çrregulluar farmaceutik. Medikamenti i njëjtë blihet me çmime të ndryshme në barnatore të ndryshme duke detyruar shpeshherë qytetarët që të vrapojnë pas çmimit e duke rrezikuar të blejnë edhe barna të pasigurta. Mungesa e infrastrukturës ligjore ka bërë që të mos ketë unifikim të çmimeve të barnave.

Farmacistët kërkojnë ligjin që do të rregullonte çështjen e çmimeve, pasi tentativat e deritanishme përmes udhëzimeve të ndryshme administrative nuk kanë pasur efekt për shkak edhe të ndërrimit të qeverive. Nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve thonë se mungesa e njësimit të çmimit të barnave është abuzim për pacientët.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një prononcim për KosovaPress ka thënë se zgjidhja më e mirë e këtij problemi që për pasojë i kushton edhe xhepit të pacientit është përmes Ligjit për rregullimin e çmimit të barnave. Ai thotë se i njëjti do të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Reklama e sponzorizuar

“Fatkeqësisht udhëzimi administrativ që ka ekzistuar është anuluar dhe fatkeqësisht e kemi situatën që e kemi, praktika ka treguar që edhe me udhëzimin administrativ kjo gjë nuk mund të rregullohet prandaj edhe në agjendën legjislative ndër ligjet e para që e kemi në dorë për të proceduar është Ligji për rregullimin e çmimit të barnave që njëherë e mirë çështja e rregullimit të çmimit të barnave të bëhet përmes ligjit dhe e cila nuk mund të ndryshojë më siç ka ndryshuar deri tani”, u shpreh Vitia.

 

Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dadane Mehaj tha se në mungesë të një norme ligjore, Kosova blen barna me çmimin më të shtrenjtë në të gjithë rajonin.

Ajo e përkrah idenë që me ligj të rregullohet kjo çështje, pasi sipas Mehajt udhëzimet administrative nuk kanë treguar efikasitet.

Mehaj thotë se si pasojë e këtyre çmimeve të ndryshme të ilaçeve qytetarët po blejnë edhe barna të pasigurta.

“Pse është e rëndësishme të rregullohet me ligj sepse udhëzimet administrative nga përvojat e mëhershme kanë treguar se qeveritë që janë ndërruar e kanë hedhur poshtë atë udhëzim, siç na ka ndodhur edhe neve, që dy vite kjo është një temë që sillet në tavolinë. Kurse tani nëse bëhet me ligj, ligji nuk mund të ndërrohet aq lehtë dhe është shumë i mirëpritur. Vjen në shprehje profesionalizmi i farmacistëve në barnatore sepse aktualisht popullata jonë vuan për këtë çështje sepse blen barna jo të sigurta”, ka thënë ajo.

Farmacistja Elona Zharku thotë se ky ligj do t’ju mundësojë atyre që më shumë të ofrojnë këshilla profesionale tek pacientët sesa të merren me aspektin e kostos së ilaçeve.

Zharku për KosovaPress thotë se ankesa për ndryshime të çmimeve kanë nga qytetarët që kryesisht përdorin barna që janë për sëmundje kronike si hipertension, kolesterol e të tjera.

“Ky është problem që ne hasim çdo ditë për arsye se pacientët shumë shpesh vijnë dhe na tregojnë për problemet që i hasin me çmime, zakonisht është më shumë në pjesën e barnave kronike që hasim këtë problem. Zakonisht i kemi barnat për hipertension, barnat për kolesterol, barnat që i përdorin vazhdimisht. Ishim fokusuar më shumë nga ana e problemeve të pacientëve dhe këshillave që ata kanë nevojë nga ana jonë si profesionistë shëndetësorë”, tha Zharku.

Kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, thotë se mungesa e një çmimi unik nëpër të gjitha barnatore është abuzim për pacientët.

“Nuk kemi çmime unike për barna dhe kjo padyshim që paraqet një abuzim për pacientët sepse barnatoret duke shfrytëzuar pozicionin e tyre barnat i shesin më shtrenjtë diku sesa diku tjetër. Padyshim që është shumë e rëndësishme që edhe ministria aktuale të unifikojë çmimet e barnave nëpër të gjitha barnatoret e Kosovës. Ajo që është shumë e dëshirueshme është që Ministria e Shëndetësisë të përmbush listën e barnave esenciale që është obligim i saj për të gjithë pacientët dhe pacientët sa më pak të kenë nevojë të frekuentojnë barnatoret dhe e dyta çmimi i barnave në barnatore të jetë unik për pacientët” , theksoi Kodra.

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ditë më parë gjatë një seance plenare ia dorëzoi ministrit Vitia si dhe Kuvendit projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave. Përmes kësaj iniciative që ai tha se ka filluar gjatë mandatit të tij si ministër, ka për qëllim ndaljen e abuzimit dhe korrupsionit në shëndetësi. Ai ofroi bashkëpunimin e tij tashmë si deputet, por tha se pret vendosmëri nga qeveria për të mos e lejuar vazhdimin e blerjes së barnave me çmime abuzive.