Ministria e Financave njofton për themelimin e Komisionit të Ankesave

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton publikun se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikacioneve të tatimpaguesve për subvencionimin e pagave dhe qirasë si dhe është bërë ekzekutimi i mjeteve për tatimpaguesit të cilët kanë plotësuar kriteret e vendosura në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 08/08, të datës 21.04.2021.

Procesi i aplikimit nga ana e tatimpaguesve përmes platformës EDI ka përfunduar me datën 11 maj, kurse procesi i shqyrtimit dhe ekzekutimit është përmbyllur me datën 16 qershor.

Reklama e sponzorizuar

Nga këto subvencione kanë përfituar 24,826 tatimpagues, ku 23,153 prej tyre kanë përfituar nga subvencionet për paga dhe 1,673 kanë përfituar nga subvencionet për qira.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka themeluar Komisionin e Ankesave, si instancë të shkallës së dytë për shqyrtimin e ankesave të ushtruara kundrejt të gjeturave të Komisionit Ndërministror, të konstituar me Vendimin Nr.21/2021 të datës 30.04.2021 të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për zbatimin e Vendimit Nr.08/08 të datës 21.04.2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky Komision do të shqyrtojë ankesat e tatimpaguesve, sipas afateve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/ L 031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Komisioni, për të vlerësuar ankesat e parashtruesve përgjatë fazës shqyrtuese, merr për bazë kriteret e zbërthyera me Vendimin Nr. 08/08 të datës 21.04.2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe kriteret e saktësuara të Komisionit Ndërministror, konform paragrafit 10 të vendimit të mësipërm qeveritar.

Tatimpaguesit ankesat e tyre tek ky Komision mund ti dërgojnë vetëm në formë elektronike në adresën:  [email protected].

Afati për dorëzimin e ankesave është deri më  25 qershor 2021.