KEDS sqaron incidentin e sotëm në Ulpianë

KEDS-i është sqaruar rreth rastit të sotëm, ku u raportua për një person, i cili është goditur nga rryma sot në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Sipas KEDS-it, personi në fjalë ka filluar gërmimet duke i zbuluar kabllot e Tensionit të Mesëm 10 kV, pa u konsultuar fare me KEDS-in, dhe pa leje paraprake nga kompania.

“Sot ka ndodhur një rast i paprecedan në lagjen Ulpiana të Prishtinës. Fatkeqësisht, një person i papërgjegjshem kishte filluar germimet duke i zbuluar kabllot e Tensionit të Mesëm 10 kV (kilovolt) pa u konsultuar me KEDS dhe pa leje paraprake nga kompania që të punojë aty ku janë të vendosura asetet elektroenergjetike”, thuhet në komunikatën për media nga KEDS-i.

Reklama e sponzorizuar

Për rrjedhojë, ka ardhë deri tek kontakti me energji elektrike nga një person, fatmirësisht pa pasoja.  

Nga KEDS-i thonë se veprime të tilla janë të papranueshme, pasi përpos që janë të rrezikshme, ato dëmtojnë edhe asetet elektroenergjetike, rrjedhimisht rrezikojnë furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. 

Ata ftojnë organet e rendit të ndërhyjnë dhe në komunën përkatëse të mos lejojë ndërtime të tilla. 

“Secila kompani ose individ që dëshiron të punojë aty ku kalojnë kabllot e energjisë elektrike, duhet të ketë leje nga KEDS, të marrë hartën e rrjetit dhe zgjidhjen eventuale teknike nëse është e nevojshme”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/