Tarifat për roaming do të eliminohen në bazë të marrëveshjes së roaming-ut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë).
Qytetarët e Kosovës gjatë qëndrimit në njërin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga 1 korriku i këtij viti nuk do të paguajnë asnjë pagesë shtesë për thirrjet e realizuara telefonike dhe mesazhet e pranuara e të dërguara, thotë Nazim Rahimi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Sa i përket shfrytëzimit të internetit, priten pako me çmime të volitshme.
Tarifat e roaming-ut u referohen shërbimeve që qytetarët shfrytëzojnë në një shtet tjetër, nga qendra e operatorit të telefonisë mobile ku janë të regjistruar.
“Roaming-u ka të bëjë me çështjen e zërit. Nuk do të aplikohet tarifë shtesë nëse një qytetar i Republikës se Kosovës, konsumator i ndonjërit nga operatorët e telekomunikacionit që operojnë në Kosovë, do të telefonojë nga ndonjë operatorë që vepron në Ballkanin Perëndimor. Me fjalë të tjera, një qytetar i Republikës se Kosovës, që ka kartë të konsumatorit të Vala-s, nga Shqipëria do të telefonojë në Kosovë me pako të njëjtë sikurse që është në Kosovë”, tha Rrahimi për Radion Evropa e Lirë, përcjell Albinfo.ch.
Ai shtoi se kjo vlen edhe për operatorët e tjerë mobilë në Kosovë.
Sipas tarifave të publikuara në ueb-faqen e Vala-s dhe Telekomit të Kosovës, konsumatorët e kësaj kompanie, për çdo minutë thirrje telefonike brenda operatorit të njëjtë paguajnë 13 centë, ndërkaq dërgimi i mesazheve kushton 6 centë. Aktualisht, tarifat shtesë për shërbimet roaming për thirrje të realizuara për 1 minutë janë 5 centë, kurse për një mesazh (sms) 2 centë.
Tarifat për roaming do të eliminohen në bazë të marrëveshjes së roaming-ut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Serbisë). Kjo marrëveshje ishte arritur në prill të vitit 2018, në samitin e parë digjital të mbajtur në Shkup. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është paraparë të bëhet në dy faza.
Pula: Operatorët do të krijojnë pako atraktive
Shqiprim Pula, ish-anëtar i bordit të ARKEP-it, tha se nga dita e enjte (1 korrik), operatorët e telefonisë mobile në gjithë rajonin, mund të paraqesin në treg dy lloje pakosh, pako që mund të përdoren nga përdoruesit vendorë dhe pako roaming-u që mund të përdoren brenda vendeve nënshkruese të marrëveshjes së roaming-ut. Por, sipas tij, është obligative që operatorët të informojnë konsumatorët për përmbajtjen e këtyre pakove.
“Për këtë, operatorët duhet të ndërmarrin një lloj fushate edukuese. Konsumatori duhet të njoftohet në detaje për jetësimin e kësaj marrëveshjeje dhe për të drejtat e tyre që mund të shfrytëzojë pakot që krijohen dhe ofrohen nga operatorët karshi përdoruesve të tyre. Këtë duhet ta kenë obligative sepse shumë konsumatorë nuk janë në dijeni mbi metodologjinë që mund të ofrohet nga ana e operatorëve se si të shfrytëzohet nga ana e tyre”, thekson Pula.
Me marrëveshjen e roaming-ut, Pula thotë se fillimisht do të fitojë qytetari, sidomos ai i cili lëviz shpesh nga një vend në vendin tjetër për arsye të ndryshme.
Nazim Rrahimi nga ARKEP-i thekson se operatorët e telefonisë mobile do të përgatisin pako atraktive të internetit, me çmime të volitshme.
“Kjo është çështje e operatorëve se çfarë pakosh do të përgatisin ata. Por, ne kemi informacione se ata do përgatisin pako atraktive, që do të jenë në dobi të qytetarëve të cilët do t’i shfrytëzojnë në vende e Ballkanit Perëndimor. Është fjala për pako interneti sepse çështja e telefonisë është zgjidhur”, thekson Rrahimi.
ARKEP-i tashmë ka njoftuar për miratimin e Rregullores për zbatimin e politikës së përdorimit të drejtë dhe metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të roaming-ut. Në këtë rregullore thuhet se “obligohen operatorët e telefonisë mobile në Republikën e Kosovës që të ofrojnë shërbimet me pakicë të rregulluara të roaming-ut sipas çmimit të aplikuar në nivel kombëtar për parapaguesit e tij, të cilët zakonisht janë rezidentë ose kanë lidhje të qëndrueshme”.
Pikërisht më 1 korrik 2021, kur pritet të eliminohen tarifat për shërbimet e roaming-ut në vendet e Ballkanit Perëndimor, do të nisin bisedimet për të arritur marrëveshje të njëjtë edhe me vendet e Bashkimit Evropian, ka shkruar më herët në Facebook Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes për roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka filluar në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, kurse faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, është paralajmëruar se do të zbatohet më 1 korrik 2021.
Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.