Kosova është njëra ndër vendet e cila akoma nuk ka ndonjë bazë ligjore për sanskionimin e përdorimit të pijeve energjike tek moshat rinore, më saktësisht te mosha 7-13 vjeç.
Ky shqetësim është ngritur nga deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila përmes një postimi në Facebook ka thënë se është tepër shqetësues fakti që nëpër marketet kosovare shihen fëmijë të moshave 7-13 vjeç që konsumojnë pije energjike në sasi të mëdha.
Pacolli thotë se edhe në vitin 2019 kishte premtuar që do të ndërmerrte iniciativën në Kuvend për të bërë ndryshimet ligjore për përdorimin e këtyre pijeve, mirëpo për shkak të rrëzimit të qeverisë kjo gjë nuk u bë e mundur.
“Është tepër shqetësuese kur sheh fëmijë 7-13 vjeçar që konsumojnë pije energjike. E është edhe më shqetësuese kur ata arrijnë të blejnë në sasi nga 1 deri në 2 litra. Para dy viteve në u pata shokuar kur në një market disa djem 10-11 vjeçar po prisnin në radhë të paguanin pijet energjike me sasi 1 litërshe. Ata ishin në pushim të gjatë të shkollës” u shpreh deputetja.
Ajo gjithashtu tha se së bashku me deputetin Milazim Salijaj do të fillojnë propozimet për ndryshime ligjore të paraprira nga disa hulumtime të nevojshme dhe diskutime publike, ku të njëjtën kohë kanë kërkuar nga Drejtoria për Hulumtime brenda Kuvendit një hulumtim se si është i rregulluar përdorimi i pijeve energjike në vendet e rajonit dhe në Evropë.
Sipas hulumtimit shihet se në shumicën e vendeve të rajonit dhe në Europë, përdorimi i këtyre pijeve është i rregulluar me ligj, përcjell Buletini Ekonomik.
Në bazë të të dhënave, në Republikën e Shqipërisë përdorimi i pijeve energjike rregullohet me ligjin “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit” në të cili janë të përfshira edhe pijet energjike.
Me këtë ligj ndalohet shitja e pijeve energjike tek personat nën moshën 18 vjeç, publiciteti në median visive, ofrimi i pijeve energjike të miturve nga personi madhor që e shoqëron atë në vende publike, shitja pa verifikim me dokument identifikues, si dhe përdorimi i tyre dhe reklami në institucione arsimore.
Ndërkohë në Maqedonia e Veriut, nuk ka akoma ndonjë ligj që rregullon përdorimin e pijeve energjike por me rekomandim të Komitetit të OKBës për të Drejtat e Fëmijëve, është inicuar ndryshimin e ligjit dhe ka filluar kampanjën për vetëdijësimin e popullatës për pasojat e pijeve energjike.
Ndërkaq në Evropë pijet energjike nuk konsiderohen si pije alkoolike dhe se nuk ka ndonjë legjislacion specifik që aplikohet në të gjitha vendet anëtare të BE-së por përdorimi i pijeve energjike është rregulluar me legjislacion kombëtar në të gjitha vendet. Shumica e kanë të rregulluar me legjislacion specifik ku përcaktohen rregulla në etiketim, reklamim dhe në përmbajtjen e produktit.
Me Rregulloren e Informacionit të Ushqimit për Konsumatorët në BE, të gjithë prodhuesit obligohen që në etiketim të shtohet teksti “Përmbajtje e lartë e kafeinës. Nuk rekomandohet për fëmijë ose gratë shtatëzëna ose gji dhënëse” si dhe janë të obliguar të deklarojnë saktë përmbajtjen e kafeinës. Ndërsa për marketing dhe etiketimin e pijeve energjike prodhuesit udhëzohen për të mos reklamuar produketet tek fëmijët.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar aplikohet rregullorja e Bashkimit Evropian ku përcaktohen rregullat që duhet të zbatohen dhe aplikohen në etiketim.
Kurse, Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA, 2015) ka konfirmuar se sasia e kafeinës deri në 3 mg për kg të peshës trupore është e sigurt për fëmijë dhe adoleshentë (3-18 vjeç) dhe deri në 400 mg për të rritur.
Kodi Evropian për Pije Energjike rekomandon se pijet freskuese me përmbajtje të lartë kafeine (mbi 150 mg) nuk duhet të konsumohen e as nuk duhet të promovohen apo shiten tek personat nën moshën 16 vjeç./Buletini Ekonomik/