Inflacioni në SHBA pritet të vazhdojë rritjen në muajt e ardhshëm, çka do të ndikojë tek ekonomia botërore, sipas ekonomistëve. Indeksi i çmimit të konsumit u rrit me 0.9% në Qershor, duke regjistruar rritjen më të madhe mujore dhe vjetore në rreth 13 vite, sipas Departamentit të Punës në SHBA.
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, tha se inflacioni në vend pritet të vazhdojë rritjen për disa muaj. Megjithatë, ai nuk sinjalizoi ndonjë ndryshim të politikave monetare.
Në dëshminë përballë Komisionit të Shërbimeve Financare në Kongres, Powell tha se inflacioni i lartë në muajt e fundit ka ardhur kryesisht nga faktorë tranzitorë, përfshirë heqjen e kufizimeve të lidhura me pandeminë, që kanë rritur kërkesën konsumatore dhe nxitur mungesë në ofertë.
Ndërkohë që këto faktorë normalizohen, Powell tha se inflacioni duhet të tërhiqet. Powell shtoi se banka do të mbajë normën afatshkurtër të interesit pranë zeros.
Rezerva Federale projekton se inflacioni vjetor do të kalojë lehtë 2%-shin e objektivit për disa kohë. Në muajt e fundit, çmimi i produkteve bazike të përditshme si ushqimi dhe gazi në Shtetet e Bashkuara, janë rritur frikshëm, duke ndikuar tek jetesa e njerëzve.
Ndikimi i pandemisë së Covid-19 është rrënjosur tek ekonomia e Shteteve të Bashkuara, duke shfaqur probleme të vjetra strukturore si ndërprerje në zinxhirin e furnizimit, mungesë të lëndëve të para dhe një disbalancë mes ofertës dhe kërkesës së punës. Analistët thonë se presionet e vazhdueshme të inflacionit në SHBA, nuk po ndikojnë vetëm rimëkëmbjen ekonomike të vendit, por të gjithë botës. /Scan tv/