Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, Qeveria e Kosovës emetoi borxh në vlerë dukshëm më të lartë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.
“Borxhi i emetuar nga Qeveria e Kosovës në TM1 2020 shënoi rritje vjetore prej 54.5 përqind krahasuar me TM1 2020, duke arritur vlerën prej 85.0 milionë euro (grafik 35). Kërkesa për të investuar në letra me vlerë të Qeverisës së Kosovës vazhdon të tejkalojë ofertën, që në TM1 2021 ishte për 2.18 herë më e lartë se sa shuma e kërkuar.
Norma mesatare e interesit në letrat me vlerë në TM1 2021 ishte 1.7 përqind, normë kjo më e lartë se në TM1 2021 për 0.5 pikë përqindje”, thuhet në raportin e BQK-së mbi vlerësimin tremujor të ekonomisë.
Rritja e normës së interesit krahasuar me periudhën paraprake reflekton trendin e emetimit të letrave me vlerë drejtë maturimeve afatgjata.
Pra, struktura e letrave me vlerë dominohet nga fletëobligacionet qeveritare, me maturitet prej 3 viteve, pasuar nga ato me maturitet prej 5 viteve.
Vlen të cekët që për të dytin vit me radhë, nuk kemi emetim të bonove të thesarit, maturiteti maksimal i të cilave është 364 ditë.
Sektori bankar, fondet pensionale dhe kompanitë e sigurimeve vazhdojnë të jenë institucionet investuese në tregun primar të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast sektori pensional vazhdon të jetë më i ekspozuari. /Buletini Ekonomik/