Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë se tërheqja e investimeve të huaja vazhdon të mbetet ndër sfidat kryesore ekonomike në vendin tonë.
Ujkani ka thënë për gazetën “Epoka e re” se edhe gjysma e dytë e këtij viti nuk po shihet se do të sjellë risi sa iu përket investimeve të huaja në Kosovë.
“Investimet e huaja dhe rritja e pranisë së tyre në vendin tonë vazhdon të jenë një nga sfidat kryesore që ndërlidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe gjysma e vitit 2021 nuk është që ka sjellë ndonjë risi në këtë drejtim, por mbesim me shpresë që me stabilizimin e gjendjes së pandemisë dhe stabilitet të qëndrueshëm politik, të ndodhë diçka më mirë. Shpresat janë që në të ardhmen e afërt trendët të ndryshojnë edhe në raport me investimet e huaja në Kosovë”, ka thënë Ujkani.
Sipas tij, klima e biznesit në Kosovë nuk është e favorshme, duke rekomanduar që, krahas sundimit të ligjit, të rriten edhe iniciativat fiskale dhe jofiskale.
“Klima aktuale e të bërit biznes mund të konsiderojmë se nuk është më e mira. Kosova, krahas fuqizimit të sundimit të ligjit, ka nevojë të krijojë edhe iniciativa të ndryshme, qofshin ato fiskale dhe jofiskale, përmes të cilave do të krijoheshin kushte edhe më të mira për të bërë biznes, pse jo edhe për të tërhequr investitorë”, ka deklaruar Ujkani.
Në këtë bisedë Ujkani ka folur edhe për Gjykatën Komerciale.
Ai ka shprehur skepticizëm se kjo gjykatë mund të sjellë risi në ambientin e të bërit biznes.
“Personalisht nuk e konsideroj Gjykatën Komerciale diçka të arritur dhe që Kosovës i ka munguar, apo që ka penguar procesin e sundimit të ligjit edhe në aspektet e drejtësisë komerciale. Ju e dini se një gjykatë e tillë veçse ka ekzistuar edhe më herët, ku në emër të reformës gjyqësore e shuan atë, kurse tash prapë po rikthehet. Nuk e di se në emër të cilës reformë tash po rikthehet e njëjta”, ka thënë ai.
Sa i përket nismës për hartimin e Ligjit për Kriptovaluta, Ujkani ka thënë se kjo iniciativë është e mirëpritur por, sipas tij, duhet të ndiqen edhe rekomandimet që ka adoptuar Komisioni Evropian lidhur me regjimin e kriptoaseteve.
“Si iniciativë ligjore ne si Këshill i Investitorëve Evropianë e mbështetim. Pra, e konsiderojmë më se të nevojshme për të pasur një siguri juridike edhe në aspektet që ndërlidhen me kriptovaluta. Mendoj se në këtë drejtim duhet të ndiqen edhe rekomandimet që ka adoptuar Komisioni Evropian lidhur me regjimin e kriptoaseteve”, është shprehur Ujkani.
Ndërkaq sa iu përket sektorëve me më interes për investitorët e huaj, Ujkani ka thënë se sektori i minierave dhe energjisë ngelen me më së shumti interesim, përderisa ka përmendur vendet nga ku është interesimi më i lartë për të investuar.
“Interesimi është në fushat energjisë, minierave, minerareve dhe prodhimtari. Janë të interesuar kryesisht investitorë nga Gjermania, Franca, Zvicra, Austria, Holanda, Belgjika dhe Italia”, ka treguar drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani.