Kurti: Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim dypalësh nga Presidenti i Konfederatës zvicerane, Alain Berset në Bern të Zvicrës.

Përmes një njoftimi për media nga Qeveria e Kosovës, bëhet e ditur se temë debati në këtë takim kanë qenë marrëdhëniet ndërshtetërore, afërsia mes popujve, bashkëpunimi bilateral, shkëmbimet tregtare dhe zhvillimet e fundit.

“Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë. Vitin e kaluar ato ishin rritur për 1/3 ndërkohë që edhe shkëmbimet tregtare kanë shënuar trend pozitiv, sidomos në sektorin e Teknologjisë së Informacionit”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Tutje vazhdon njoftimi se kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e Zvicrës në çdo etapë të rezistencës, çlirimit, pavarësimit, shtetndërtimit e zhvillimit, si një nga vendet e para që e njohën Kosovën.

“ Ajo edhe sot vazhdon të përkrah shtetin e Kosovës, përfshirë në arenën ndërkombëtare, siç u dëshmua edhe me mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu ka falënderuar Zvicrën edhe për rolin e saj në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes misionit të Sëisscoy, në kuadër të KFOR-it, të cilit së fundi i është vazhduar mandati deri në vitin 2026.

Më tej, kryeministrin Kurti e njoftoi presidentin Berset për zhvillimet e fundit në vend, raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, për rezultatet e deritanishme të qeverisjes, politikat prioritare dhe për progresin e shënuar në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të luftimit të korrupsionit, sikurse është evidentuar edhe nga raporte kredibile ndërkombëtare për dy vite rresht.

Në mesin e politikave zhvillimore në të cilat shteti i Zvicrës ka luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv, kryeministri Kurti veçoi atë të arsimit dual i cili këtë vit akademik do të zgjerohet në gjithsej 12 profile të ndryshme, në 13 komuna dhe 21 shkolla profesionale dhe përmes së cilit synohet që të bëhet lidhja ndërmjet arsimit profesional dhe tregut të punës.

Të dy folën për mundësitë në fushat me potencial për bashkëpunim më të thelluar dhe për marrëveshje të reja që e shtojnë atë, në veçanti në kuadër të EFTA-s.

Berset: Zvicra mbështet aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës

Kurse, sipas njoftimit të presidencës së Zvicrës, presidenti Alain Berset dhe kryeministri Albin Kurti kanë biseduar veçanërisht për situatën në veri të Kosovës dhe procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të presidencës së Zvicrës, presidenti Berset, ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të tij për procesin e normalizimit dhe ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të negociuara në Bruksel dhe Ohër.

“Në Serbi dhe Kosovë nevojiten hapa të besueshëm dhe pragmatizëm për ta rikthyer procesin në binarë. Prandaj, në takim u trajtuan hapat e përcaktuar në marrëveshjet që do të ndërmerren nga të dyja palët, duke përfshirë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të garantuar një shkallë adekuate të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe”, thuhet në njoftim.

Sipas njofimit, presidenti Alain Berset ka theksuar se Zvicra mbështet aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, veçanërisht pasi kjo do t’u mundësonte të gjithë banorëve të vendit, përfshirë anëtarët e pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera, të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Berset theksoi rëndësinë që Zvicra i jep një rajoni të qëndrueshëm dhe të begatë të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës janë zhvilluar në aspektin ekonomik, por potenciali i mëtejshëm mbetet. Siguria juridike dhe zbutja e tensioneve në rajon janë të rëndësishme në këtë drejtim.

“Zvicra është burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë. Marrëdhëniet janë veçanërisht të ngushta falë diasporës së Kosovës. Rreth 115,000 kosovarë jetojnë në Zvicër, dhe gjithsej deri në 180,000 njerëz në këtë vend kanë rrënjë kosovare. Kosova, pavarësinë e së cilës Zvicra e njohu në vitin 2008, tani është gjithashtu një vend prioritar në bashkëpunimin ndërkombëtar, me Programin Zviceran të Bashkëpunimit për Kosovën 2022-2025 që fokusohet në qeverisjen demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ndryshimet klimatike, ujin dhe shëndetin dhe migrimin. Për më tepër, Forcat e Armatosura të Zvicrës janë përfshirë në ndërtimin e paqes në terren që nga viti 1999; në qershor, Parlamenti miratoi një zgjatje të vendosjes së Swisscoy deri në vitin 2026”, thuhet në njoftimin e publikuar nga presidenca e Zvicrës.