Shteti dha mbi 1 milionë euro për pensione të dyfishta, shumica për ish-pjestarë të TMK-së e FSK-së

Fotografi ilustruese

Qeveria e Kosovës, më konkretisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka shpenzuar gjithsej 1 milionë e mbi 88 mijë euro për 4 mijë e 856 përfitues të skemave sociale, ku shumica prej tyre morën edhe pensione të dyfishta në kundërshtim me ligjin.

Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, ishin përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, për të cilët Ministria e Punës kishte kryer pagesa të njëjta edhe vitin e kaluar bazuar në një vendim të ish-Kryeministrit.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) për vitin 2020, ka hasur në disa parregullësi, me ç’rast është vërejtur se janë bërë shumë pagesa për pensione të dyfishta për personat e njëjtë, të cilat si të tilla janë në kundërshtim me ligjin dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit.

Reklama e sponzorizuar

“Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe sociale
kemi identifikuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë 1,088,040€ për përfitues
të cilët gëzojnë më shumë se një pension”, thuhet në raport.

Gjithsej 3 mijë e 948 ishte numri i përfituesve të pensioneve të dyfishta nga pjestarë të TMK-së, të cilët përfituan 864 mijë e 848 euro, kurse 847 ishin përfitues nga FSK-ja, të cilët përfituan 212 mijë e 940 euro, derisa të tjerët ishin gjithashtu pjestarë të kategorive tjera, veteranë dhe përfitues të dy pensioneve bazë, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërkohë, mos harmonizimi i legjislacionit për skemat pensionale dhe vazhdimi i pagesës së pensioneve të dyfishta edhe gjatë vitit 2020nga ZKA thonë se kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti i ministrisë nuk kishte inicuar procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale shkaku i rrethanave të pandemisë dhe shpërndarjes së Ministrisë.

Me vendimin e ish-kryeministrit ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK dhe ish-pjesëtarët e TMK-së deri në një interpretim përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale. Mirëpo në mungesë të një interpretimi të tillë, më 2020 krahasuar me vitin 2019, ka pasur një rritje të lehtë të shumës së këtyre pagesave, konstaton Auditori.

Ndërkaq, sipas Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, neni 16, përcaktohet qartazi se “personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave të përcaktuara me këtë ligj në asnjë rrethanë, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen nga shteti”.

Kurse sipas ligjit për Statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre – neni 5.1.4, përfituesit e pensioneve familjare, invalidor personal dhe invalidor familjar nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të aplikueshme në Kosovë.

Gjithashtu edhe sipas ligjit për Veteranët e UÇK-së neni 16 pika 2, Veteranët e UÇK-së nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të financuara nga shteti . Nëse veterani është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti duhet të përcaktohet se cilin pension do ta marrë.

Po kështu edhe ligji për pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, neni 5.3 thotë se përfituesit që kanë të drejtë në pensionin e FSK-së duhet të zgjedhin njërin nga përfitimet: pensionin që u takon me këtë ligj, apo përfitimet tjera që parashihen me ligjet tjera në fuqi. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/