Tokio 2020, riciklohen më shumë se 6 milionë smartphone për prodhimin e medaljeve

“Tokyo 2020 Medal Project” mblodhi 78.985 tonë mbetje elektronike, për një total prej 30.3 kg ar, 3500 kg argjend dhe 2.200 kg bronz. Organizatorët: “Shpresojmë të bëhet një trashëgimi e Lojërave”

Është ëndrra e çdo atleti që synon ta çojë vendin e tij në majat më të larta të botës. Fryti i merituar i viteve punë dhe sakrifice, në emër të një objektivi me pesë rrathë. Por përveçse janë një emblemë e përsosmërisë absolute sportive, medaljet e Tokio 2020 kanë edhe një kuptim tjetër: atë të qëndrueshmërisë.

Rreth 5 mijë medaljet që do t’u ndahen këtë verë kampionëve olimpikë dhe paraolimpikë janë realizuar tërësisht nga një sasi e madhe pajisjesh të vjetra dixhitale, duke përfshirë 6.2 milionë smartphone: 78.985 tonë mbetje elektronike, nga të cilat u mundën të merren 30,3 kg ar, 2.500 kg argjend dhe 2.200 kg bronz.

Reklama e sponzorizuar

Pjesëmarrja e mbi 90% të enteve territoriale japoneze dhe NTT Docomo, operatori kryesor telefonik lokal, ishin vendimtare për rezultatin pozitiv të kësaj sasie të madhe mbetjesh elektronike në “Tokyo 2020 Medal Project”, i cili u zhvillua midis prillit 2017 dhe marsit 2019. Zëdhënësi i Lojërave Olimpike Tokio 2020, Hitomi Kamizawa, tha se ishte “mirënjohës për bashkëpunimin e të gjithëve”.

Për të ilustruar procesin e prodhimit të medaljeve, nga ndarja e përbërësve te shkrirja e metaleve të çmuar, u publikua një video në rrjetet sociale të këtij kompeticioni. Ndërsa dizajni është fryt i talentit të Junichi Kawanishi, drejtues i Japan Sign Design Association dhe Osaka Design Society, i cili fitoi një konkurs ku morën pjesë 399 profesionistë të tjerë kombëtarë të sektorit.

Kjo nuk është hera e parë që medaljet olimpike prodhohen nga materiale të ricikluara. Në fakt, që tek Vankuver 2010, 1.11% e bronzit, 0.12% e argjendit dhe 1.52% e arit u rikuperuan nga pajisje elektronike të hedhura. Në Rio 2016, u arrit në 30% të sasisë së argjendit dhe bronzit. Tokio 2020 përfundon një vepër në mënyrën më të mirë të mundshme. “Shpresojmë se projekti ynë i riciklimit të pajisjeve të vogla të elektronikës së konsumit dhe përpjekjet për të krijuar një shoqëri më të kujdesshme për mjedisin dhe të qëndrueshme të bëhen trashëgimi e Lojërave Olimpike Tokio 2020” – patën deklaruar organizatorët dy vite më parë.

/ Corriere della Sera