Microsoft do t’iu kërkojë të gjithë punëtorëve amerikanë dëshmi të vaksinimit

Gjiganti teknologjik, Microsoft ka ndryshuar politikën dhe nga muaji i ardhshëm do t’iu kërkojë të gjithë punëtorëve të jenë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, në mënyrë që të kenë qasje në zyrat dhe hapësirat tjera punuese në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Kjo kompani ka njoftuar punëtorët të martën se do të kërkojë “dëshmi të vaksinimit për të gjithë punëtorët, dhe mysafirët që hyjnë në ndërtesat e Microsoftit në SHBA”, ka raportuar Seattle Times sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press.

Reklama e sponzorizuar

Kompania ka thënë po ashtu se të ketë procedura tjera për punëtorët, të cilëve problemet shëndetësore ua pamundësojnë vaksinimin.

Prindërit e fëmijëve që janë shumë të rinj për të marrë vaksinën do të mund të punojnë nga shtëpitë deri në muajin janar, ka thënë kompania.

Edhe kthimi i pjesës tjetër të punëtorëve nëpër zyre është shtyrë për një muaj, përkatësisht 4 tetor.

Kërkesa e kompanisë për vaksina nuk do të zbatohet jashtë SHBA-së, për shkak të dallimeve ligjore nga një shtet në tjetrin.

Politika e re rreth vaksinimit vjen pas vendimit të njëjtë të marrë nga gjigantët tjerë teknologjikë si Google dhe Facebook, ashtu sikurse Disney dhe Walmart.