Stoku i borxhit publik u rrit me mbi 394 milionë euro në 6-mujorin e parë, në krahasim me fundin e vitit 2020. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave raportojnë se stoku i borxhit arriti në 1,273 miliardë lekë në fund të qershorit 2020, duke u rritur me 49 miliardë lekë, në krahasim me fundin e vitit 2020.
Rritja ka qenë më e madhe për borxhin e brendshëm, me rreth 40 miliardë lekë dhe rreth 9 miliardë lekë për borxhin e jashtëm.
Në raport me PBB, stoku i borxhit ishte 75,6%. Por krahasimi me PBB pa përfunduar viti nuk është shumë i vlefshëm për shkak se, stoku i borxhit tashmë të krijuar krahasohet me PBB e pritshme të fundit të vitit. Si rrjedhojë në tre 3-mujorët e parë të vitit, borxhi në përqindje të PBB është më i ulët se rezultati vjetor.
Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe krizës së pandemisë, qeveria shqiptare rriti borxhin publik në përqindje më shumë se vendet e tjera të rajonit. Vitin e kaluar borxhi u rrit rreth 12 pikë për qind të PBB-së
Në korrik të këtij viti, qeveria ndryshoi me akt normativ buxhetin 2021, duke zgjeruar sërish borxhin publik nëpërmjet rritjes së deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1,3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar).
Ky ndryshim zuri në befasi institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët e fushës, të cilët nuk prisnin kthesën e papritur të qeverisë për të financuar me borxh disa projekte afatgjata, të tilla si ndërtimi i Unazës së Re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë ende pa sheshuar efektet direkte të dy krizave të fundit. Për më tepër, zgjerimi i borxhit u bë me akt normativ, duke thyer edhe rregullin fiskal që është përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin në përqindje të PBB-së, përveçse në raste të jashtëzakonshme.
Gjatë viteve të fundit, qeveria e ka rritur borxhin publik me ritme më të shpejta se sa rritja ekonomike e vendit.
Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë arriti në 552,400 lekë në vitin 2020, nga 433,600 lekë në vitin 2010, sipas të dhënave zyrtare të azhurnuara nga Ministra e Financave në Kuadrin Afatmesëm Makroekonomik. Gjatë dekadës, PBB për frymë është rritur me 36%. Por borxhi publik për frymë është rritur me ritme më të shpejta. Në vitin 2020, detyrimet publike për banor arritën në 476,105 lekë, me një rritje 75% nga viti 2010, ku treguesi ishte 245,152 lekë për frymë.
Të dhënat tregojnë se pesha e borxhit është zgjeruar vitet e fundit. Në vitin 2010, shqiptarët kishin borxh rreth 56% të PBB për frymë, ndërsa më 2020, kishin borxh 78% të PBB-së për frymë. Ecuria e borxhit dhe të ardhurave për frymë tregon dy dobësi të aftësive menaxhuese të qeverisë.
E para, borxhi nuk ka arritur të prodhojë mirëqenie për shqiptarët.
E dyta, barra e borxhit po vijon të rritet pa kontroll në projekte që sigurojnë shpërndarje të pabarabartë të shpenzimeve që kryhen me borxh.
Për rrjedhojë, gjatë dekadës në vijim, taksat e shqiptarëve gjithnjë e më shumë do të përdoren për të shlyer borxhin dhe interesat e tij, në vend që të rriten pagat, pensionet dhe të ndërtohen vepra publike./Monitor.al/