ATK-ja ua shpjegon bizneseve masat për “ringjalljen ekonomike”

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbajtur sot një tryezë diskutimi lidhur me subvencionimin e masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike për bizneset.

Përmes një njoftimi për media nga ATK, bëhet e ditur se në pikën 1 për Mbështetjen e Punësimit nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike, janë ndarë 50 milion euro për krijimin e vendeve të reja të punës, duke mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejt punëkërkuesit.

Në pikën  1.1, përcaktohet rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë, për të cilën masë janë paraparë 10 milion euro, më pas pika 1.2 përcakton mbështetje për të punësuarit e formalizuar me 10 milion euro, si dhe pika 1.3 është destinuar për mbështetjen e punësimit të grave me 5 milion euro.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë diskutimit, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj kërkoi nga komuniteti i bizneseve dhe shoqatat e kontabilitetit që ta përkrahin ATK-në në kanalizimin e informacionit tek grupet e atakuara, të cilat mund të përfitojnë nga këto masa.

Nga ATK-ja shpjeguan edhe për mënyrën e aplikimit për subvencionimin e masës 1.1, për të cilën ky institucion ka krijuar veglën përmes platformës EDI, e cila shërben për të verifikuar personat që kualifikohen apo jo për subvencionim nga masa 1.1 .

Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve dhe shoqatave të kontabilitetit thanë se do të bashkëpunojnë, në mënyrë që anëtarët e tyre të jenë të njoftuar në kohë reale me procedurat e subvencionimit të kësaj pakoje.

“Ndërsa, pjesa tjetër e masave nuk janë në përgjegjësi të ATK-së për implementim”, përfundon komunikata e ATK-së. /Buletini Ekonomik/