Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se Afganistani nuk do të jetë më në gjendje të ketë qasje në burimet e huadhënësit.
Ky veprim vjen pas marrjes nën kontroll të vendit nga talibanët fundjavën e kaluar.
Një zëdhënës i FMN-së tha se kjo ishte për shkak të “mungesës së qartësisë brenda bashkësisë ndërkombëtare” mbi njohjen e një qeverie në Afganistan, përcjell Telegrafi.
Një fond prej mbi 370 milionë dollarësh nga FMN ishte caktuar të mbërrinte më 23 gusht që ishin pjesë e një përgjigje botërore ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit në llogaritë amerikane, duke ua pamundësuar talibanëve qasjen në miliarda dollarë.
“Asnjë aset i Bankës Qendrore, që ka Qeveria afgane në Shtetet e Bashkuara, nuk do të jetë i qasshëm për talibanët”, ka thënë administrata amerikane.
Administrata e Joe Biden ka marrë këtë vendim përgjatë fundjavës teksa talibanët kanë pushtuar Kabulin më 15 gusht dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.
Afganistani është një prej vendeve më të varfra në botë dhe varet tejet shumë nga ndihma e huaj, e cila mbulon rreth tri të katërtat e buxhetit shtetëror.