Disa politikanë mendojnë se kanë gjetur një zgjidhje ideale për ngërçin mbi kufirin e borxhit në SHBA. Bëhet fjalë për një zgjidhje në formë platini: A mund të prodhohet një monedhë 1 trilion dollarëshe?
Edhe përkrahësit më të fortë të kësaj ideje, që nuk janë edhe aq të shumtë, nuk e kanë marrë aq seriozisht këtë ide. Ata thonë se është një mënyrë e pazakontë për të dalë nga një problem i pazakontë kontabiliteti që do të ketë pasoja të rënda për qytetarët e zakonshëm dhe ekonominë nëse nuk zgjidhet në ditët në vijim.
Por megjithë shakatë se shembëlltyra e kujt do të shfaqej në monedhë, një ide e tillë është e mbështetur në disa studime. Sado që duket jorealiste, është diçka e imagjinueshme që qeveria të kthejë 1 trilion dollarë në një monedhë, pa pasur nevojë për miratimin e ligjvënësve.
Si është e mundur kjo kur sekretari i thesarit nuk mundet thjesht të printojë para për të paguar borxhet publike? Është e mundur falë një ligji të çuditshëm të mbi 20 viteve më parë që duket se lejon administratën të presë monedha të çdo forme pa miratimin e Kongresit për sa kohë që ato të jenë prej platini.
Qëllimi ishte që të prodhoheshin monedha përkujtimore për koleksionistët, jo që të krijohej një opsion bërthamor për zgjidhjen e një krize fiskale.
Në mënyrë të veçantë, ligji thotë se sekretari i thesarit “mund të presë dhe lëshojë herë pas here monedha platini në kushte të veçanta siç mund të përshkruajë Sekretari, sipas gjykimit të Sekretarit. ”
Ky është pikrisht një rast i tillë, sipas avokatëve të këtyre monedhave. Por Sekretarja e Thesarit Janet Yellen, Shtëpia e Bardhë dhe disa demokratë e hodhën poshtë idenë të martën,.
“Ajo që është e nevojshme është që Kongresi të tregojë se bota mund të ketë besim se Amerika do ta paguajë borxhin.”
Një monedhë platini, tha ajo për televizionin CNBC, “do të ishte një hile.”
Rohan Grey, një profesor i së drejtës në Universitetin Willamette dhe ekspert në politikën fiskale, thotë se fakti që monedha përfaqëson një mënyrë për të anashkaluar një problem kontabiliteti është një burim force, jo dobësie.
“Ideja e ‘luftës ndaj një problemi kontabël me një zgjidhje kontabiliteti’ është tërësisht koherente. Tavani i borxhit në vetvete mund të shihet si një hile e madhe kontabiliteti, e projektuar dobët.”
Shtetet e Bashkuara do ta arrijnë tavanin e borxhit më 18 tetor nëse Kongresi nuk vepron në kohë. Të dy partitë janë në një ngërç në Senat: republikanët nuk duan të bashkëpubojnë me demokratët; Demokratët nuk duan të përdorin më vetëm votat e tyre për të zgjidhur problemin.
Kjo është ajo që e bën një monedhë platini me 12 zero joshëse për disa, nëse kjo rrugë e paprovuar dhe e guximshme do të funksiononte.
Altenativa të tjera që po përmenden janë përdorimi i Amendamentit të 14 -të sipas së cilit “vlefshmëria e borxhit publik të Shteteve të Bashkuara, e autorizuar me ligj. nuk do të vihet në dyshim”, për të cilën disa studiues argumentojnë se mund të përdoret për të tejkaluar kufirin e borxhit.
Shtëpia e Bardhë ka shqyrtuar të gjitha këto “dhe asnjë prej tyre nuk ishte e zbatueshme,” tha sekretarja e shtypit Jen Psaki. “Pra, ne e dimë se rruga e vetme përpara është përmes veprimit të Kongresit.”
Tavani i borxhit u krijua në epokën e Luftës së Parë Botërore për ta bërë më të lehtë për SHBA-në që të lëshojë bono lufte pa pasur nevojë për miratim nga Kongresi.
Ngritja ose pezullimi i tavanit ka qenë një detyrë kryesisht e pakontestueshme deri në kohët e fundit, sepse borxhi vjen kryesisht nga shpenzimet që tashmë janë miratuar nga Kongresi ose mbulon pagesat e mandatuara me ligj. Tani gjithçka është bërë objekt i një lufte politike.
Thesari nuk mund të fusë valutë të re në qarkullim, vetëm Rezerva Federale mund ta bëjë një gjë të tillë./VOA/