Europa dhe Britania e Madhe përballen me krizën dimërore të energjisë, ndërsa rritja e çmimit të gazit intensifikohet

Çmimet e gazit natyror në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Europë u rritën përsëri të mërkurën, duke u tregtuar 10 herë mbi nivelin e tyre që nga fillimi i vitit dhe duke kërcënuar frenimin e aktivitetit industrial dhe rritjen ndjeshëm të inflacionit, shkruan Financial Times.

Kontratat e gazit në Mbretërinë e Bashkuar për shpërndarjet e nëntorit u rritën pothuajse 40%.

Çmimet rekord të gazit natyror janë një simptomë e një krize të thelluar të energjisë që ka prekur të gjithë globin ndërsa vendet po luftojnë për të siguruar furnizimet me energji pas rritjes së shpejtë të kërkesës pas pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

Çmimet e gazit janë gjithashtu në nivele rekord në Europë dhe Azi, ndërsa çmimi i qymyrit, i cili përdoret për të prodhuar energji elektrike dhe për ngrohje, ka tejkaluar nivelin e lartë të të gjitha kohërave, duke e kaluar dhe vitin 2008, kur u shënua rekordi i mëparshëm.

“Një krizë energjetike po shpaloset, ndërkohë që dimri në Hemisferën Veriore ende nuk ka filluar,” tha Stephen Brennock i PVM, një broker energjie në Londër.

Kontratat europiane të gazit për shpërndarjen në nëntor u rritën gati 25% të mërkurën, duke arritur në 155 euro në megavat orë, nga vetëm 18 euro gjashtë muaj më parë.

Tregtarët kanë vënë në dukje se arsyeja lidhet me furnizimet më të ulëta nga Rusia, e cila në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të shesë gaz përtej detyrimeve të saj kontraktuale afatgjata.

Prodhimi i brendshëm i gazit në Europë gjithashtu ka rënë ndjeshëm, ndërsa kërkesa në Azi është rritur, teksa vendet gjithnjë e më shumë kërkojnë alternativa ndaj qymyrit shumë ndotës, duke krijuar një luftë ofertash për ngarkesat e gazit të lëngshëm natyror.

Çmimet e gazit në Europë u lehtësuan pak, pas niveleve të larta të mërkurën pasi një gjykatës i BE-së shprehu mendimin se  projekti i gazsjellësit Nord Stream 2 i Rusisë mund të sfidonte rregullat e BE-së, të cilat rrezikojnë ngadalësimin e fillimit të aktivitetit të tij, pas përfundimit të ndërtimit muajin e kaluar.

Gazprom, eksportuesi shtetëror monopol i gazit ka treguar se mund të rrisë shitjet në tregun europian sapo të miratohet gazsjellësi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të mërkurën se “nuk kishte absolutisht asnjë rol rus në atë që po ndodh në tregun e gazit”.

Mbretëria e Bashkuar është padyshim më e brishtë se disa vende në Evropë për rritjen e çmimeve të gazit sepse ka kapacitet shumë të kufizuar të magazinimit.

Rritja e çmimeve të energjisë po nxit shqetësimet për inflacionin, i cili ka dëmtuar çmimet e bonove të qeverisë, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Evropa po vuan gjithashtu nga çmimet shumë të larta të energjisë elektrike për shkak të rritjes së kostove të energjisë. Bashkimi Europian tha të mërkurën se do të rishikojë tregun e energjisë të rajonit dhe do të marrë parasysh ndryshimet në rregullore.

“Nuk ka dyshim që ne duhet të marrim masa politike,” tha komisioneri i energjisë i BE -së Kadri Simson në parlamentin e BE -së.