Shqipëria përgatitet për blerje energjie, çmimi në bursa 219 euro megawati

Fotografi ilustruese

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) pjesë e OSHEE Group do të hapë këtë të hënë një procedurë te re ankandi për sigurimin e sasisë së energjisë për konsum në vend gjatë tetorit. Ankandi parardhës ishte ai i 4-10 tetor kur FTL importoi energji në një vlerë financiare prej 13 milionë eurosh me një çmim rekord prej 233 euro/MWh çmimi më i lartë me të cilin vendi ka siguruar ndonjëherë energji.

Në Bursën Hungareze çmimi i energjisë në pik për këtë të hënë( 11 tetor) ishte 219.52 euro MWh me një ulje të lehtë në raport me çmimet e datës 10 kur në pik energjia u shit me 227.18. Çmimi mesatar për të dyja ditët u luhat në 192 euro/MWh. Ankandi i fundit i FTL vjen vetëm dy ditë pas publikimit të planit të qeverisë per t’i berë ballë situatës së krijuar me energjinë jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë.

Reklama e sponzorizuar

Kryeministri deklaroi gjatë daljes së tij para mediave se biznesi i vogël dhe konsumatori familjar do të jenë të mbrojtur. Ai nënvizoi se janë të pakten tre pika që parashikohen përmes planit ku ndër të tjera sigurimi pa ndërprerje i energjisë dhe mbrojtja e kategorive më vulnerabël. Për OSHEE u vendos në dispozicion nje vlerë prej 100 milionë eurosh për të perballuar importet këtë vit dhe 100 milionë të tjera për vitin e ardhshëm. Aktualisht vendi është nën emergjencën e shpallur të furnizimit me energji.

“Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.

Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022” thuhet në vendimin e qeverisë.

Emergjencat në sektorin energjrtik parashikohen edhe në nenin 90 të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” duke vendosur një mënyrë të re koordinimi mes kompanive te sistemit të energjisë ku parësore është sigurimi i sasisë së nevojshme të energjisë për konsum. Po kështu edhe ngritja e një grupi pune që menaxhon gjithë situatën./N.Maho