Brukseli gati t’i përgjigjet një lufte të mundshme tregtare me Britaninë e Madhe

Liderët e vendeve anëtarë të BE-së po ushtrojnë presion ndaj Brukselit në mënyrë që të hartojë masa drastike ndaj Mbretërisë së Bashkuar si kundërpërgjigje ndaj kërcënimit të hapur të Londrës për të pezulluar dakordësinë tregtare me Irlandën e Veriut, të arritur në kuadër të Marrëveshjes së Brexit.

Burime diplomatike pohuan për “Financial Times” se përfaqësuesit e 5 vendeve anëtare të BE-së u takuan në fillim të javës me zv/Presidentin e Komisionit Europian, Maros Sefcovic, njëherësh negociatori i BE për Brexit, për t’i kërkuar atij që të përgatitet një plan eventual për çdo të papritur që mund të sjellë një luftë tregtare eventuale.

Reklama e sponzorizuar

Franca, Gjermania dhe Holanda, aleate historik të Mbretërisë së Bashkuar, ishin dhe më këmbëngulësit për hartimin e një plani të tillë, megjithëse patën edhe mbështetjen e Italisë dhe Spanjës, saktësuan diplomatët për të përditshmen britanike. Mes alternativave të diskutuara në kryeqytetin e Bashkimit Europian, spikasin frenimi i aksesit të Mbretërisë së Bashkuar në furnizimin me energji nga vendet e Bllokut, imponimi i tarifave për eksportet britanike, madje në rrethana ekstreme, është shqyrtuar edhe mundësia e ndërprerjes së marrëveshjes dypalëshe të tregtisë.

Ministri britanik për Brexit, Lord David Frost paralajmëroi se Londra mund të kërkojë pezullimin e pjesës më të madhe të protokollit të shkëmbimeve tregtare me Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e marrëveshjes tregtare të arritur me BE, pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Blloku Europian. Protokolli në fjalë, i cili përcakton kontrolle doganore dhe rregullatore ndaj mallrave që dalin nga Britania e Madhe drejt Irlandës, ka hyrë në fuqi në Janar të këtij viti, duke u shndërruar në një burim konflikti dypalësh. Por vendet anëtare të BE-së i druhen mundësisë që Britania, pas pretendimit për rishkrimin e protokollit tregtar me Irlandën e Veriut, të përmbledhur në nenin 16 të Marrëveshjes, mund të rrëzojë të gjithë bashkëpunimin tregtar.

“Shanset që Frost të thotë “Ne duam Hënën” janë të mëdha” – pohoi një diplomat për FT, duke shtuar se ministri britanik për Brexit, mund të përpiqet të heqë qafe të gjithë protokollin që përcakton rregullat e shkëmbimit tregtar dypalësh. “Frost e di që po luan me zjarrin. Por kur luan me zjarrin edhe mund të digjesh. BE është gati të kundërpërgjigjet me një seri masash goditëse si për shembull furnizimet me energji” – evidentoi ai.

Britania e Madhe mbështet 10% të furnizimeve të saj me energji elektrike dhe 12% të furnizimit me gaz nga ndërlidhja me sistemet energjetike dhe gazsjellëse të Bashkimit Evropian. Zv/Presidenti i KE Sefcovic bëri me dije në një intervistë të mëparshme për “Financial Times” se ai ishte i hapur për opsione të tjera më konstruktive, por kur u takua gjatë kësaj të premteje me ministrin britanik për Brexit shtoi se : “Procesi i negocimit nuk mund të zgjasë përgjithmonë”/FT.