Deputeti i LVV-së, Rrahmani: BQK-ja nuk ka mandat të përcaktojë çmimin e sigurimeve

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere është shqyrtuar raporti vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku ishte i pranishëm edhe guvernatori i saj, Fehmi Mehmeti.

Gjatë diskutimit, është folur edhe për rritjen e primit të sigurimit të automjeteve, për të ciliën deputetët patën kritika ndaj BQK-së, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani tha se BQK-ja nuk ka mandat që të përcaktojë çmim unik për sigurime, por vetëm që ta bëjë mbikëqyrjen e primeve të sigurimit të kalkuluar nga secila kompani e sigurimit veç e veç.

Gjithashtu, ai tha se vendimi i 2019-s për rritjen e primit të sigurimit ishte i parregullt, dhe se sipas tij, ka qenë në kundërshtim me ligjin për BQK-në dhe nuk ka qenë i bazuar as në analiza e as në tregues të qartë. Si rrjedhojë e kësaj, Rrahmani thotë se për atë kishte pasur edhe protesta.

“Lidhur me ngritjen e çmimit të TPL-së, BQK nuk ka mandat për përcaktoj prim unik të sigurimit, por vetëm të bëjë mbikëqyrjen e primeve të sigurimit të kalkuluar nga secila kompani e sigurimit veç e veç dhe të intervenojë në afat prej 30 ditësh nëse konstaton se ka vërejte në përllogaritjen e një primi. Si arsyetim ka qenë, norma e inflacionit nga Banka Qendore”, është shprehur Rrahmani.

Deputeti Rrahmani po ashtu pyeti guvernatorin se pse u lejua që t’i merrej licenca kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, së cilës BQK-ja muajin e kaluar ia revokoi licencën, duke shtuar kështu se mosliberalizimi i tregut të sigurimeve vazhdimisht po e dëmton konkurrencën, dhe se rritja e çmimeve po i varfëron qytetarët edhe më shumë.

Rrahmani gjithashtu potencoi edhe raportimet në media se disa kompani të sigurimeve në Kosovë janë duke operuar duke mos i përmbushur kërkesat ligjore për kapital. Sipas tij, nga viti 2013 e deri më tani, gati gjysma e kompanive të sigurimeve janë në mungesë të kapitalit të kërkuar me ligj.

“Gati gjysma e kompanive të sigurimeve që nga viti 2013 janë në mungesë të kapitalit të kërkuar me rregullativë ligjore, burim është citimi në media i guvernatorit me rastin e revokimit të licencës së Insigut”, tha Rrahmani.

E në emër të BQK-së, për këto kritika foli Sokol Havolli, zëvendësguvernator në BQK, i cili tha se ngritja e çmimeve vjen si pasojë e mosantarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër.

“Për dallimin e çmimeve është jashtë kompetencës sonë pasi kemi të bëjmë me mungesën e Kosovës në Kartonin e gjelbër, ku kemi shumë automjete të pasiguruara dhe me këtë adresim të problemit, do kemi edhe ulje të çmimeve”, tha tutje Havolli. /Buletini Ekonomik/