Pas rritjes së çmimit të produkteve esenciale, edhe lokalet në kryeqytet kanë filluar të rrisin çmimet e ushqimeve, raporton Express
Klientët e një lokali në Prishtinë, janë njoftuar para pak ditësh se lokali në fjalë do të rrisë çmimet e ushqimeve.
“Nga ndikimi i tregut në rritjen e vazhdueshme të çmimeve detyrohemi të ndryshojmë çmimet tona nga data 25.10.2021”, thuhet në njoftimin e lokalit.
Ndryshe, çmimet e artikujve thelbësor në muajin shtator, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës janë shtrenjtuar deri në pesë për qind. Shtrenjtimi ka vazhduar edhe gjatë muajit tetor.
Rritja e çmimeve ka nisur që në muajin prill me 1.2 për qind, duke shkuar në 4.9 për qind muajin e kaluar.
Çmimet më të larta deri në 30 për qind vërehen tek vajrat dhe yndyrnat ushqimore, ndërkaq 20 për qind tek pemët dhe perimet.
Sipas të dhënave zyrtare, një litër vaj ushqimor vitin e kaluar ka kushtuar 1.06 euro, kurse aktualisht në treg shitet 1.54 euro, buka nga 30 centë është shtrenjtuar në 40 centë respektivisht 50 centë, 30 kokrra të vezëve janë shtrenjtuar nga 1.95 euro në rreth 3 euro. Një metër kub dru ka kushtuar mbi 37 euro, tashmë mbi 40 euro. Rritje të çmimeve ka edhe tek derivatet e naftës. Një litër benzinë vitin e kaluar ishte 0.92 centë kurse tashmë 1.19 euro, ndërkaq dizeli nga 0.91 centë në 1.16 euro.