COP26/ Më shumë se 40 vende angazhohen për të eliminuar përdorimin e qymyrit

Më shumë se 40 vende angazhohen për të eliminuar përdorimin e qymyrit në samitin e klimës COP26, thotë qeveria britanike.

Shtetet kryesore që përdorin qymyr, përfshirë Poloninë, Vietnamin dhe Kilin, janë ndër vendet që do të bëjnë angazhimin.

Reklama e sponzorizuar

Por disa nga vendet më të mëdha në botë të varura nga qymyri, përfshirë Australinë, Indinë, Kinën dhe SHBA-në, nuk e nënshkruan këtë zotim.

Qymyri është kontribuuesi më i madh në ndryshimin e klimës.

Nënshkruesit e marrëveshjes janë zotuar t’i japin fund të gjitha investimeve në prodhimin e energjisë së qymyrit brenda dhe jashtë vendit.

Gjithashtu është rënë dakord të hiqet dorë nga energjia e qymyrit deri në vitet 2030 për ekonomitë e zhvilluara dhe deri në vitet 2040, për vendet më të varfra, deklaroi qeveria britanike.

Me dhjetëra organizata nënshkruan gjithashtu zotimin, dhe disa banka të mëdha ranë dakord të ndalonin financimin e industrisë së qymyrit.

“Fundi i qymyrit është në horizont,” tha sekretari i biznesit dhe i energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Kwasi Kwarteng.

“Bota po ecën në drejtimin e duhur, duke qëndruar gati për të vulosur një herë e mirë fatin e qymyrit dhe për të përqafuar përfitimet mjedisore dhe ekonomike të ndërtimit të një të ardhmeje që mbështetet në energjinë e pastër.”

Por sekretari i biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, Ed Miliband, tha se kishte “boshllëqe të dukshme” nga Kina dhe emetuesit e tjerë të mëdhenj, të cilët nuk janë zotuar të ndalojnë rritjen e përdorimit të qymyrit brenda vendit. Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk ishin bërë premtime për eliminimin gradual të naftës dhe gazit.

Miliband tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar “nuk është treguar e rreptë sa ç’duhet”.

Megjithëse është bërë përparim në reduktimin e përdorimit të qymyrit në nivel global, ai ende prodhon rreth 37% të energjisë elektrike në botë në vitin 2019.

Vende si Afrika e Jugut, Polonia dhe India do të kenë nevojë për investime të mëdha për t’i bërë sektorët e tyre të bazuar në energji më të pastër.

Juan Pablo Osornio, kreu i delegacionit të Greenpeace në COP26, tha: “Në përgjithësi, kjo deklaratë është ende shumë larg ambicieve të nevojshme për karburantet fosile në këtë dekadë me rëndësi kritike.”/ BBC