Inflacioni në SHBA, një nga më të lartit në botë

market
Footografi e Ilustruar

Kohët e fundit, inflacioni ka prekur pjesën më të madhe të botës, por Shtetet e Bashkuara kanë dalluar si një nga vendet më të prekura prej tij në muajt e fundit.

Me një normë vjetore inflacioni prej 6.2% në tetor, SHBA tani po kalon një rritje të çmimeve me përmasat më të larta në më shumë se 30 vjet.

Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew, në tremujorin e tretë të vitit 2021, vendi u rendit i teti me normën më të lartë vjetore të inflacionit midis 46 vendeve që u shqyrtuan. SHBA pati gjithashtu rritjen e tretë më të lartë të inflacionit, me 3.58 pikë përqindjeje, ndërmjet tremujorit të tretë të 2019-ës dhe të njëjtës periudhë të këtij viti. Asaj ia kalonte vetëm Brazili dhe Turqia, të dyja vende me ekonomi më pak të zhvilluar që në përgjithësi përballen me norma të larta të inflacionit më shpesh se SHBA.

Reklama e sponzorizuar

Amerikanët, veçanërisht të varfërit, janë duke u përballur me efektet e inflacionit në një moment që çmimet e ushqimeve janë rritur në të gjithë botën në prag të Ditës së Falënderimeve. Çmimet e ushqimeve në nivel global po arrijnë shifrat më të larta në dekada, sipas Shoqatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Kur bëhet fjalë për mallrat e tjera, si çipat gjysmëpërçues dhe gazi natyror, problemet me zinxhirin e furnizimit e kanë përkeqësuar akoma më shumë situatën, duke i rritur çmimet në nivele më të larta ndërkohë që oferta përpiqet të plotësojë kërkesën.

Ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten, inflacioni është bërë një problem politik për Presidentin Biden. Sipas kompanisë së sondazheve Gallup, 26% e amerikanëve thonë se shqetësime ekonomike të tilla si papunësia, inflacioni ose ekonomia në përgjithësi janë problemi kryesor i vendit. Shtatë përqind identifikuan specifikisht inflacionin si çështjen më urgjente të vendit.

Shumë amerikanë duket se fajësojnë Presidentin Biden, shkalla e miratimit e të cilit është në rënie të lirë në secilin prej shteteve të fushëbetejës. Presidenti nga ana e tij, e ka bërë një pjesë kyçe të agjendës së tij zgjidhjen e ҫështjes së rritjes së çmimeve, duke dyfishuar përpjekjet për të lehtësuar problemet e zinxhirit të furnizimit, duke zhbllokuar rezervat e naftës dhe duke emëruar Jerome Powell për një mandat të dytë si kryetar i Rezervës Federale.

Megjithatë, pavarësisht se është “udhëheqësja” e inflacionit, SHBA mbetet larg nga e vetmja ekonomi e zhvilluar që po preket prej tij. Si Zelanda e Re, ashtu edhe Spanja, përjetuan një rritje të normave të inflacionit me më shumë se 2 pikë përqindjeje ndërmjet tremujorit të tretë të 2019-ës dhe të njëjtës periudhë të këtij viti./ Fortune