A duhet të “ngrihen” çmimet e produkteve bazë në Kosovë?

Fotografi ilustruese

Janë një mori shkaqesh dhe arsyesh që vendimi nga Maqedonia e Veriut për ‘ngrirjen” e çmimeve të produkteve bazë ushqimore të diskutohet dhe të përfolet aq shumë në Kosovë. Dhe në këto diskutime nuk fshehet nga shumica kërkesa që edhe në vendin tonë përkohësisht të merret një vendim i ngjashëm nga ana e zyrtarëve, për t’u ndalur vrulli agresiv dhe ngarendja për ngritje çmimesh me çdo kusht në rrethanat aktuale.

Buletini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Këtyre ditëve është komentuar këtu te ne goxha shumë një informacion që erdhi nga fqinjët tanë jugor. Lajmi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore në vend, gjegjësisht për caktimin e çmimeve më të larta për produktet e konsumit të jetesës në shitoret për shitjen me shumicë dhe në ato me pakicë është diskutuar shumë, sidomos nga kosovarët e varfër, të cilët mezi ia dalin ta përmbyllin muajin me të ardhurat e tyre karshi ngritjes së vrullshme të çmimeve, veçmas të produkteve ushqimore.

Me këtë vendim pra, Maqedonia e Veriut ka përcaktuar çmimet më të larta të prodhimeve bazë ushqimore, të bukës, sheqerit, miellit tip 400, të vajit nga luledielli, të qumështit me 2,8 për qind, 3,2 dhe 3,5 për qind yndyrë, të mishit të freskët dhe të mishrave të thata, të djathit të vjetër dhe të rinj. Dhe sipas këtij vendimi parandalohet shtrenjtimi i produkteve bazë dhe i njëjti do të vlejë për çmimet e vendosura deri më 1 dhjetor. Çmimet e këtyre produkteve do të jenë të pandryshueshme deri më 31 janar 2022.

Pse e mori Maqedonia e Veriut këtë vendim, kur dihet se edhe në këtë shtet kaherë është në fuqi ekonomia e tregut, ku çmimet praktikisht do të duhej të përcaktoheshin në bazë të ofertës dhe kërkesës?

Nga përfaqësues zyrtarë, por edhe nga ekspertë dhe analistë, nënkuptohet se fqinjtë tanë këtë vendim e kanë marrë të kushtëzuar nga pasojat e pandemisë, që edhe në këtë shtet ka rritur numrin e rasteve sociale, përkatësisht shkaku se shumë persona kanë mbetur pa punë dhe tani nuk arrijnë të gjejnë punë, për të përmbushur nevojat më elementare për familjet e tyre. Dhe ata janë të pakënaqur edhe me asistencën sociale, meqë, siç thonë, me paratë që marrin, nuk arrijnë të blejnë as gjërat më elementare për jetë, për shkak të rritjes së çmimeve të prodhimeve.

“Çmimet e prodhimeve ushqimore janë shumë të larta për qytetarët, në veçanti për ata që marrin ndihma përmes entit social. Çfarë prodhimesh do të blejnë me paratë që marrin? Me çfarë do t’i ushqejnë familjet e tyre? Vetëm për bukë, për dy anëtarë të familjes duhet të shpenzojnë 1,600 denarë (rreth 25 euro) në muaj. Çfarë të bëhet me anëtarët e tjerë”, shprehet një i papunë në Maqedoni.

Sipas Ligjit për Mbrojtje Sociale në Maqedoninë e Veriut, ndihma sociale minimale për një person është 4,000 denarë (afro 65 euro). Ndihma sociale rritet për çdo anëtar tjetër të familjes me nga 2,000 denarë. Kriza ekonomike në Maqedoninë e Veriut ka marrë hov gjatë pandemisë së koronavirusit, kur, si pasojë e mbylljes së vendit dhe masave të tjera shtrënguese, janë shuar rreth 6,000 biznese, ndërsa mijëra njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës.

“Gjatë vitit 2020, rreth 35,000 familje kanë qenë përfituese të ndihmës sociale, ndërsa në vitin 2021 listës i janë shtuar edhe 8,500 familje të reja. Meqë kriza me pandeminë do të zgjasë, pritet që numri i përfituesve të ndihmës të rritet me 5,500 shfrytëzues të rinj”, janë shprehur për medien maqedonase zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë vitit 2020, rreth 22 për qind e popullatës 2-milionëshe të Maqedonisë së Veriut kanë jetuar në prag të varfërisë. Situata është përafërsisht, ose më mirë me thënë krejtësisht e ngjashme edhe në Kosovë. Me mijëra persona kanë mbetur pa punë, me qindra-mijëra biznese janë mbyllur nga pasojat e pandemisë, ndërsa është shtuar ndjeshëm numri i njerëzve dhe familjeve që kanë nevojë urgjente për asistecë dhe ndihmë sociale.

Gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Kosovë janë mbyllur për shkak të pandemisë zyrtarisht me dhjetëra biznese. Mirëpo, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, gjatë vitit 2021 janë shuar 1,330 biznese, të cilat kishin të punësuar rreth 3,300 punëtorë.

Gjatë vitit 2020 figurojnë të shuara 1,346 biznese. Prej 120 mijë bizneseve sa janë të regjistruara në ARBK, vetëm 40 mijë janë aktive, që do të thotë i kryejnë obligimet tatimore. Madje vështirësitë me të cilat u përballën disa nga bizneset, i detyruan ato të ndalojnë krejtësisht veprimtarinë e tyre. E, kjo ka lënë edhe shumë punëtorë pa punë. Mbyllja e bizneseve përveç ekonomisë së vendit, pritet të thellojë shumë edhe krizën ekonomike të familjeve.

Sipas Agjencisë së Statistikave, norma vjetore e inflacionit në muajin e kaluar ka arritur në 5.7 për qind. Ngritja e këtyre çmimeve është rritur kryesisht te buka, mishi, qumështi dhe drutë.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor ka arritur në 5.7 për qind.

“Bukë dhe drithëra me 5.7 për qind, mish me 2.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 27.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 4.1 për qind, pije alkoolike me 4.5 për qind; duhan me 2.8 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 8.1 për qind, produkte farmaceutike me 2.3 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind, shërbime për transport me 2.3 për qind dhe shërbime hoteliere me 2.7 për qind”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), tetor 2021”.

Indeksi i ngritjes së çmimeve të këtyre produkteve tani është, gjithsesi, shumë më i lartë, pasi që nga tetori deri në fillim të dhjetorit çmimet e produkteve bazë ushqimore janë ngritur thuaja për ditë dhe në përqindje të madhe. Këto janë shkaqet dhe arsyet qe vendimi nga Maqedonia e Veriut për ‘ngrirjen” e çmimeve të produkteve bazë ushqimore të diskutohet dhe të përfolet aq shumë në Kosovë. Dhe në këto diskutime nuk fshehet nga shumica kërkesa që edhe në vendin tonë përkohësisht të merret një vendim i ngjashëm nga ana e zyrtarëve.

Edhe ekspertët dhe njohësit e rrethaneve rreth kësaj çështjeje, në njëfarë mënyre mendojnë se ngrirja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore është zgjidhje e duhur, mbase edhe e vetmja që do të stoponte qoftë edhe përkohësisht vrullin e pandalshëm dhe agresiv të ngritjes së çmimeve në Kosovë, gjoja në emër të krizës globale dhe ngritjes së çmimeve gjithandej nëpër botë.

Duhet thënë se tek disa prodhues, gjegjësisht tek disa prodhime edhe në Kosovë, e sidomos te ato që lëndën e parë e kanë importuar me çmime të reja ndjeshëm të ngritura, në njëfarë mënyre kanë pasur arsye për ngritje çmimesh. Përqindja, pastaj është e diskutueshme edhe tek kjo kategori prodhuesish dhe prodhimesh. Pra është i kontestueshëm niveli i ngritjes së çmimit, që do të thotë se këta prodhues, megjithë arsyen për ngritje çmimesh, kanë shfrytëzuar situatën dhe i kanë çuar çmimet në qiell. Të tillë janë, ta zëmë një numër i konsiderueshëm furrtarësh, të cilët ngritën çmimin e bukës dhe të pjekurinave të tjera, madje edhe 75 për qind në emër të ngritjes së çmimit të miellit, që nuk ka kaluar 10 për qind ngritje. Të jemi edhe më konkret, një bukë e vogël, që në popull njihet me emrin samun dhe “pitalkë”, që ka kushtuar 15 centë, tani tregtohet 25 e më shumë centë, që i bie saktësisht 75 për qind ngritje çmimi. Dhe kjo është ajo ngarendja për të zhvatur dhe për të “zënë” sa më shumë dhe sa më shpejtë në rrethanat e situatës së krijuar. Dhe këta tregtarë nuk mund të ndalen sikundër që nuk janë ndalur asnjëherë në ngarendjen e tyre për t’u pasuruar brenda çastit.

Këta prodhues dhe sivëllezërit e tyre mund të ndalen vetëm me ngrirjen e përkohëshme të çmimeve të produkteve themelore ushqimore, mu siç u veprua te fqinjët tanë. Prandaj, vendimmarrësit tanë është mirë që ta shqyrtojnë këtë përvojë. Ndryshe është e qartë dhe e pritshme thellimi i krizës sociale, i numrit të të varfërve dhe i atyre që realisht do të kenë nevojë për asistencë dhe ndihmë sociale nga shteti. /Buletini Ekonomik/