Çmimi i karburanteve shënoi rënie të mërkurën, pas pritjeve që shtimi i furnizimit global do ta tejkalojë rritjen e kërkesës, pavarësisht parashikimeve të reja se përhapja e re e koronavirusit nuk do ta frenojë rimëkëmbjen e kërkesës për karburante aq sa ishte vlerësuar më parë.
Çmimi në bursën ndërkombëtare, “Brent”, ishte 72.84 dollarë për fuçi në mëngjesin e hershëm të së mërkurës, 1.17 më lirë se në sesionin paraprak, përcjell Gazeta Express.
Ndërkohë çmimi në bursën amerikane, “West Texas Intermediate”, ishte 69.78 dollarë për fuçi, 1.34 për qind më lirë se në sesionin paraprak.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, në raportin e saj për tregun e karburanteve, të publikuar të martën, i uli parashikimet për kërkesën globale të naftës për vitin 2021 dhe 2022 për rreth 100.000 fuçi në ditë, në krahasim me vlerësimin e muajit të kaluar, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19.
Sipas kësaj agjencie, prodhimi global i naftës pritet që ta tejkalojë kërkesën duke filluar nga ky muaj, pasi ShBA-ja e grupi i shteteve prodhuese, OPEC+, i udhëhequr nga Arabia Saudite e Rusia, do të prodhojnë më shumë për të ofruar lehtësime në treg.