Bursa e Beogradit do të zhvendosë aktivitetet tregtare në platformën e Bursës së Athinës

Bursa e Beogradit (BELEX) nënshkroi një marrëveshje për të zhvendosur aktivitetet e saj tregtare si operator tregu, në platformën e Bursës së Athinës (ATHEX). 

Të dy ekipet kanë nisur procedurat me qëllim zhvendosjen e aktiviteteve tregtare të BELEX, thanë të dyja bursat në një deklaratë të përbashkët. 

“Zhvendosja e aktiviteteve tregtare të Bursës së Beogradit në platformën tregtare të Bursës së Athinës, pasqyron angazhimin tonë jo vetëm për të forcuar më tej bashkëpunimin, por edhe qëllimin për të përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm të tregut, transparencën dhe sigurinë, duke ndërtuar struktura që janë plotësisht në përputhje me rregulloren e BE-së, për të gjithë pjesëmarrësit e tregut”, tha CEO i BELEX, Sinisa Krneta. 

Reklama e sponzorizuar

Bursat e Athinës, Beogradit dhe Qipros do të rrisin kolektivisht efikasitetin e tyre operacional, do të përmirësojnë likuiditetin e tregut, do të rrisin mundësitë e biznesit dhe do të mbështesin me efikasitet zhvillimin e ekonomive lokale, thuhet në deklaratë. 

“Ne jemi të kënaqur për partneritetin me Bursën e Beogradit në kontekstin e Platformës së Përbashkët, përmes të cilit synojmë të forcojmë rrjetin e tregjeve, duke rritur diversitetin e bazës së investitorëve dhe duke ofruar mundësi të reja investimi për investitorët vendas dhe ndërkombëtarë, dhe nga ana tjetër, të zgjerojmë gamën e produkteve në tregje”, vëren CEO i ATHEX, Socrates Lazaridis. 

Në gusht, Komisioni i Letrave me Vlerë i Serbisë, dha miratimin për ATHEX, për të blerë 10.24% të aksioneve të BELEX, me qëllim për të përmirësuar tregun serb të kapitalit nëpërmjet përfshirjes së produkteve dhe shërbimeve të reja që do të mbështesin fluksin e kapitalit.