Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë kanë vazhduar me rritje enorme edhe në muajin nëntor të këtij viti, ku norma e inflacionit vjetor shënoi një rritje prej 6.9 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.
Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) me titull “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Nëntor 2021” tregohet se nga kjo rritje e çmimeve te nëngrupet e COICOP-it prijnë me çmimet më të larta karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, të cilat u ngritën për 33.9 për qind sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Poashtu një rritje ektreme poashtu u ndje edhe tek vajrat dhe yndyrat ushqimore të cilat realizuan një rritje prej 30.9 për qind. Tutje edhe shërbimet telefonike dhe të telefaksit u rritën për 20.5 për qind.
Ndërkohë, rritje poashtu patën edhe çmimet e bukës dhe drithërave të cilat për 13.3 për qind, çmimi i mishit u rrit për 4.8 për qind më shumë sesa vitin e kaluar, kurse çmimi i qumështit, djathit dhe vezëve u ngrit për 7.7 për qind në këtë periudhë.
Gjithashtu, edhe çmimi i perimeve gjatë kësaj kohe u rrit për 6.8 për qind, ndërkohë që çmimi i sheqerit, reçelit, mjaltës, çokollatës dhe ëmbëlsirave shënoi një rritje prej 8.6 për qind, gjithmonë duke iu referuar krahasimeve me vitin e kaluar.
Më tutje, edhe çmimet e prodhimeve të ndryshme ushqimore siç janë salcat, erëzat, kripa, dhe ushqimi për fëmijë patën një rritje prej 2.9 për qind, ndërsa çmimi i kafes, çajit dhe kakaos u ngrit për 8.7 për qind. Uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet u rritën poashtu për 0.9 për qind, ndërsa çmimi i pijeve alkoolike u ngrit për 2.6 për qind.
Çmimi i duhanit po ashtu u rrit për 2.9 për qind, çmimi për mirëmbajtjet dhe rregullimin e vendbanimit u ngrit për 3.7 për qind, i gazit për 18.5 për qind, dhe ai i lëndëve djegëse të ngurta, si dru zjarri dhe pelet, u rrit për 13.9 për qind.
Ndërsa, mobiliet dhe orenditë, qilimat dhe mbulesat të tjera dyshemeje u rritën për 3.2 për qind, kurse tekstili shtëpiak realizoi rritje prej 4.8 për qind. Gjithashtu ngritje të çmimit patën edhe pajisjet shtëpiake me 5.7 për qind, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 3.3 për qind, produktet farmaceutike me 3.1 për qind, blerjet e automjeteve me 5.3 për qind, pjesët e këmbimit dhe pajisjeve shtesë për pajisjet e transportit personal u rritën për 3.4 për qind.
Çmimi i mirëmbajtjeve dhe riparimit të pajisjeve personale të transportit u rrit për 5.7 për qind, shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit patën një rritje prej 9.9 për qind më shumë sesa periudhën e njejtë të vitit paraprak, kurse çmimi për shërbime për transport u rrit për 3.5 për qind, çmimi i pajisjeve audio-vizuele, fotografike për përpunim të informatave u rrit për 4.3 për qind, i shërbimeve hoteliere për 4.9 për qind, i kujdesit personal me 2 për qind, i shërbimeve financiare me 6 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, rënie të çmimeve pati vetëm te nëngrupi i pemëve, që shënoi ulje prej -5.9 për qind.
Ndërkaq, sa i përket inflacioni mujor të matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit për të njëjtin vit, shihet se çmimet u rritën për 1.2 për qind më shumë në muajin nëntor të 2021, krahasuar me muajin tetor të po të njëjtit vit.
Kjo rritje kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it ku buka dhe drithërat për një muaj u rritën në 7.3 për qind, ndërkohë çmimi i mishit shënoi rritje prej 2.4 për qind.
Çmimi i produkteve të qumështit, djathit si dhe vezët gjatë kësaj kohë realizuan rritje për 4.0 për qind, ndërkohë që çmimi i vajrave dhe yndyrërave ushqimore u rrit për 3.8 për qind më shumë. Edhe çmimi i perimeve u rrit për 1.1 për qind, ndërsa çmimi i sheqerit, reçelit, mjaltës, çokollatës dhe ëmbëlsirave u ngrit për 4.2 për qind.
Me një përqindje prej 4.8 u rrit edhe çmimi i kafes, çajit dhe kakaos, çmimi i gazit u rrit për 2 për qind, kurse çmimi i lëndëve djegëse të ngurta, drutë dhe peleti, patën një rritje prej 5.8 për qind.
Poashtu çmimi i pajisjeve shtëpiake u rrit për 2.5 për qind, ndërkohë që çmimi për shërbime hoteliere u ngrit për 2.1 për qind, ndonëse ndikimi i përbashkët i këtyre nëngrupeve ishte prej 1.4 për qind në IHÇK. Ndërsa, një rënie e çmimeve u vërejt sërish tek sektori i pemëve të cilat ranë për -7.5 për qind, si dhe te pijet alkoolike, të cilat ranë për -1.3 për qind. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/