“Ibër Lepenci” shet rrymë jashtë vendit dhjetëfish më lirë sesa që blen Kosova

Kryetarja e re e Bordit të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Hyrmet Mydyti, ka drejtuar akuza drejt Bordit të vjetër të këtij institucioni, duke thënë se si pasojë e kontratave të dëmshme, Ibër-Lepenci po e shet rrymën shumë më lirë se sa çmimi me të cilin tash Kosova po importon.

Mydyti përmes një njoftimi në facebook, ka treguar se në zyret e ndërmarrjes ka gjetur një kontratë ndërkombëtare, që sipas saj është e dëmshme dhe e pafavorshme për shtetin.

Nga Mydyti është thënë po ashtu se shkaku i kontratës së nënshkruar më herët, kjo ndërmarrje s’po mund ta ndihmojë vendin në krizën energjetike, sepse marrëveshja bën që “Ibër-Lepenci” të shesë rrymën me çmim prej 38.11 euro për megavat për orë, ndërsa Kosova tash po e blen atë me çmim prej 60 deri 300 euro për MËh.

Reklama e sponzorizuar

“Përkthyer në gjuhën e një tregtari të thjeshtë, i bie që mallin tënd e blen 7-10 herë më shtrenjtë se sa je duke e shitur!”, ka shkruar ajo tutje.

Kjo kontratë tashmë, sipas Mydytit është duke u trajtuar në aspektin ligjor e juridik, dhe shton tutje se kjo marrëveshje është e lidhur me çmim fiks për tre vjet, kurse transparenca ka qenë e kufizuar e sepsë s’ka pasur konkurrencë dhe krahasueshmëri të ofertave.

Mydyti ka shtuar se edhe fakti që udhëheqja e procedurës së publikimit është bërë nga vetëm një zyrtar i prokurimit, e bën të dëmshme këtë marrëveshje.

Ndërkohë, edhe Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dje, i shqiptoi gjobë “Ibër-Lepencit” për shkelje ligjore në kontratën për shitjen e rrymës.

“Bordi i ZRRE ka marrë vendim në seancën e sotme për shqiptimin e dënimit me Gjobë ndaj Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër Lepenc’ SH.A. (HC UJMANI), për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në lidhje me vazhdimin e Kontratës për shitjen e energjisë elektrike në kundërshtim me Procedurën për Tregtimin e Energjisë Elektrike, në shumën prej 110,705.00 € (njëqind e dhjetëmijë e shtatëqindepesë mijë Euro) që përbënë 5% nga te hyrat e realizuara nga aktiviteti i shitjes së energjisë elektrike për vitin 2020”, thuhej në njoftimin e ZRRE-së.

Më tutje, mbrëmë edhe Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të mbajtur në formë elektronike, miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike, që iu transferuan Minsitrisë së Ekonomisë.

Sipas njoftimit, kjo e fundit do t’i transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës. /Buletini Ekonomik/