Mikrofinancat me fitime rekorde, për 10 muaj fituan 11.8 milionë euro

Euro

Sektori mikrofinanciar në Kosovë deri në fund të muajit tetorit të këtij viti, ka arritur të regjistrojë 11.8 milionë euro fitim neto.

Krahasuar me muajin shtator, kur profiti neto i institucioneve mikrofinanciare ishte 10.5 milionë euro, në muajin tetor fitimet u rritën për për 1.3 milionë euro.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “SISTEMIT FINANCIAR, INFORMATA MUJORE TETOR 2021”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 40.2 milionë euro në muajin tetor, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Krahasuar me muajin e kaluar, pra me muajin shtator, të hyrat u rritën për 4.2 milionë euro, pasiqë deri në shtator shuma e të hyrave tek institucionet mikrofinanciare ishte 36 milionë euro. Prej të gjitha këtyre të hyrave, prej 40.2 milionëve, 35.6 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi në këtë sektor.

Ndërkohë, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar në mujin tetor ishin në vlerën e 27.7 milionë eurove. Nga e gjithë kjo shumë e shpenzimeve, 15.4 milionë prej tyre ishin për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative, ndërkohë 6.7 milionë euro tw tjera shkuan për shpenzime të interesit.

Ndërkaq, kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në fund të muajit tetor arritën në 233.1 milionë euro, ku 154.1 milionë euro u lëshuan për ekonomitë familjare, ndërsa 79 milionë të tjera u dhanë për korporata jo financiare. Kurse norma e interesit në kredi u shpreh në një përqindje prej 20.6%.

Ndryshe, në Kosovë funksionojnë gjithsej 30 institucione mikrofinanciare, ku 12 prej tyre janë në pronësi të huaj. Numri i degëve të këtyre institucioneve në vend është 158, ndërkohë që numri i të punësuarve është 1 mijë e 284. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/