Kreu i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka thënë se vetëm në periudhën janar-tetor 2021, ATK-ja ka realizuar të hyra në vlerë të 552.7 milionë eurove, që në raport me planin e parashikimive, ka të hyra prej 41 milionë eurove më shumë. Në përqindje, ka të hyra më shumë për 8.5% në raport me parashikimet e këtij institucioni.
Në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, Murtezaj ka shpalosur shifra rreth të hyrave që ATK-ja ka grumbulluar në tri vitet e fundit, ku thotë se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit i bjen që diku 126 milionë euro kemi më tepër të hyra të realizuara, sesa në 2020-n.
Ndonëse thekson se viti 2020 nuk mund të merret si vit referencë për kalkulime, Murtezaj shton se nëse i krahasojmë të hyrat e ATK-së me ato të vitit 2019, del se mbi 87 milionë euro ATK-ja ka tejkalim të të hyrave, apo diku 19%, përcjell Buletini Ekonomik.
“Viti 2020 nuk është vit që mund t’i referohemi si njësi matëse, kurse nëse e krahasojmë me vitin 2019 që ishte vit normal, del se diku mbi 87 milionë euro kemi tejkalim të të hyrave në raport me vitin 2021, apo diku 19%”, shton Murtezaj.
Deri tani, ATK-ja ka grumbulluar diku 570 milionë euro të hyra, që sipas drejtorit të ATK-së, është tejkaluar edhe objektivi i përgjithshëm i gjithë vitit.
Objektivi i ATK-së për tërë vitin 2021 kishte qenë 556 milionë euro, kurse deri në fund të vitit nga ATK-ja kanë pritje se do të grumbullohen deri në 593-596 milionë euro. Kjo shifër, sipas ATK-së i bjen që do të kenë mbi 40 milionë euro të hyra më shumë sesa projeksioni.
Gjithashtu, Murtezaj shton se gjatë periudhës janar-nëntor, ATK-ja zhvilluar 1 mijë e 200 kontrolla në terren ku edhe kanë konstatuar 52.3 milionë euro tatim shtesë, duke thënë se rritja e inspektimeve nga ana e ATK-së ka prodhuar edhe rritje të të hyrave.
E në këtë rritje të të hyrave, thuhet se ka ndikuar në radhë të parë rritja e qarkullimit të bizneseve si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve nga diaspora në periudhën korrik-gusht, por Murtezaj thekson se edhe iniciativat e Qeverisë, bashkëpunimi i mirë me ta, si dhe rritja e llogaridhënies brenda ATK-së. Nga Murtezaj u tha se ardhja e diasporës në muajt e verës bëri një lloj ekspansioni të qarkullimit të parasë në treg. (M. Shabani) /Buletini Ekonomik/