Cilat janë kostot nga të cilat do të lirohen bizneset kur blejnë arkë fiskale?

Arka Fiskale

Ministria e Financave tashmë ka përfunduar një proces reformues për tregun e arkave fiskale në Kosovë, përmes së cilës po synohet krijimi i lehtësirave për bizneset, si në uljen e çmimit të pajisjeve fiskale, ashtu edhe në procedura.

Siç mëson Buletini Ekonomik, ky proces i reformimit përfshin ndryshime në dispozitat ligjore aktuale në fuqi dhe gjithashtu pritet që një pjesë të kostos së bizneseve me rastin e pajisjes me arkë fiskale, ta marrë përsipër vet ministria e një pjesë tjetër si abonim dhe mirëmbajtje vjetore t’i kalojnë edhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se përmes një udhëzimi administrativ që tashmë veqse ka dalë nga dëgjimi publik, synohet që të ketë lehtësira në aspektin e zhvillimit të procesit të fiskalizimit të bizneseve që ende janë të pafiskalizuara, dhe po ashtu edhe tek bizneset të cilat veçse janë të fiskalizuara por që kanë kosto ose barrë e kanë mirëmbajtjen e pajisjes fiskale me një kosto bukur të lartë.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë rast, sipas Murtezajt, përmes këtij udhëzimi administrativ pashihet që të ketë reduktim të kësaj kostoje në nivel shumë të madh, dhe mirëmbajtjen dhe abonimin pritet ta marrë përsipër vet ATK-ja. Aktualisht, mirëmbajtja dhe abonimi për pajisjet fiskale në Kosovë është diku 90 euro në vit, përcjell Buletini Ekonomik.

“Dihet që sponzor i ligjeve tatimore është Ministria e Financave, në këtë rast edhe aktet nënligjore dhe udhëzimet administrative. Realiteti është që ekziston një draft udhëzim administrativ sepse ka qenë në dëgjim publik dhe tashmë është i njohur edhe për opinionin, dhe përmes atij udhëzimi administrativ synohet që të ketë lehtësira në kuptimin e asaj në aspektin e zhvillimit të procesit të fiskalizimit të bizneseve që ende janë të pafiskalizuara, dhe po ashtu edhe tek bizneset të cilat veçse janë të fiskalizuara por që kosto ose barrë e kanë mirëmbajtjen e pajisjes fiskale, një kosto bukur të lartë. Në këtë rast, përmes këtij udhëzimi administrativ parashihet që të ketë reduktim të kësaj kostoje në nivel shumë të madh, ne do të kemi një kosto shumë më të vogël sesa kjo aktuale dhe pritjet janë që mos të mbetet barrë për tatimpaguesit në këtë rast. Pra mirëmbajtjen dhe abonimin. Aktualisht, mirëmbajtja  dhe abonimi është diku 90 euro në vit”, ka thënë Murtezaj.

Ndërkaq, në çështjen se a pritet të ndikojë kjo reformë në çmimin e arkave fiskale, Murtezaj u përgjigj se kompanitë ofruese të pajisjeve fiskale tashmë kanë filluar të praktikojnë metoda të ndryshme të shitjes së pajisjeve, me këste, që sipas tij është një mundësi shumë më e lehtë për bizneset, për vet faktin se në treg ka edhe biznese të vogla që e kanë si kosto të rëndë blerjen e pajisjes fiskale, dhe kanë gjithashtu vështirësi në gjenerim të aktivitetit për shkak të mungesave financiare ose likuiditetit.

Aktualisht, në Kosovë janë diku rreth 35 mijë biznese që janë të fiskalizuara, numër ky që përfshin pjesën dërrmuese të bizneseve të mëdha dhe të mesme,

Ndërkaq, nëse i referohemi numrit total të bizneseve që janë aktive, mbi 100 mijë, atëherë diku rreth 70 mijë ose më pak se 70 mijë janë të pafiskalizuara, por që në kuadër të tyre, Murtezaj thotë se janë një numër i konsiderueshëm që nuk i obligon ligji për t’u fiskalizuar.

Sipas ligjit, jo të gjitha bizneset në vend janë të obliguara që të fiskalizohen, për shkak se ligji i obligon vetëm ata që punojnë me kesh, dhe njëkohësisht që bëjnë shitje për konsumatorin final.

Ne në fillim të shatorit kemi vendosur një kushtëzim, prej 1 shatorit diku deri 12 tetor, një kushtëzim në sistemin elektronik tonë EDI- (për deklarim të taimeve që është), që para se të jepet mundësia të deklarohen tatimet të plotësojnë një deklaratë duke konfimuar se ato biznese që kanë qenë të pafiskalizuara, a i obligon ligji bazuar në aktivitetin e tyre ose në transaksionet e tyre, me qenë të fiskalizuara apo jo. Në këtë periudhë, diku mbi 17 mijë tatimpagues kanë deklaruar që nuk i obligon ligji me qenë të fiskalizuar, numër i madh është sepse ky është deklarim i njëanshëm i tyre, por që ajo mbetet të vërtetohet në të ardhmën nga ana jonë gjatë inspektimeve, që p.sh X-Y biznesi ka thënë që nuk më obligon ligji, mirëpo nëse shkojmë dhe ne konstatojmë që ai bën transaksione me kesh dhe i shet konsumatorit final, e konfirmojmë që ka qenë i obliguar të fiskalizohet”, ka treguar tutje metodën e fiskalizimit Murtezaj. (M.Shabani) /Buletini Ekonomik/