Sektori mikrofinanciar në vend ka përmbyllur muajin tetor të vitit 2021 me gjithsej 11.8 milionë euro fitim neto.
Krahasuar me muajin shtator, kur profiti neto i institucioneve mikrofinanciare ishte 10.5 milionë euro, në muajin tetor fitimet u rritën për për 1.3 milionë euro.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Sistemit Financiar, Informata mujore, tetor 2021”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 40.2 milionë euro në muajin tetor, përcjell Buletini Ekonomik.
Krahasuar me muajin e kaluar, pra me muajin shtator, të hyrat u rritën për 4.2 milionë euro, pasiqë deri në shtator shuma e të hyrave tek institucionet mikrofinanciare ishte 36 milionë euro. Prej të gjitha këtyre të hyrave, pra prej 40.2 milionëve, 35.6 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi në këtë sektor.
Ndërkohë, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar në muajin tetor ishin në vlerën e 27.7 milionë eurove. Nga e gjithë kjo shumë e shpenzimeve, 15.4 milionë prej tyre ishin për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative, ndërkohë vetëm 6.7 milionë euro të tjera shkuan për shpenzime të interesit.
Ndërkaq, kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në fund të muajit tetor arritën në 233.1 milionë euro, ku 154.1 milionë euro u lëshuan për ekonomitë familjare, ndërsa 79 milionë të tjera u dhanë për korporatat jofinanciare. Kurse norma e interesit në kredi u shpreh në një përqindje të lartë prej 20.6%.
Tutje, vlera totale e aseteve të këtij sektori, në fund të muajit tetor 2021 ishte 342.9 milionë euro.
Në anën tjetër, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Vlerësimit Tremujor të Sistemit Financiar për tremujorin e dytë 2021”, performanca pozitive financiare në këtë sektor në muajt e kaluar ishte kryesisht si rezultat i rënies së shpenzimeve kundrejt rritjes së të hyrave në institucionet mikrofinanciare.
Të hyrat e këtij sektori vetëm gjatë tremujorit të dytë patën shënuar vlerën prej 11.6 milionë euro, që sipas të dhënave në këtë raport, paraqitej një rritje e të hyrave për 0.9 milionë euro krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2020, rritje kjo që i atribuohej direkt të hyrave nga interesi.
“Rritja i’u atribua rritjes së të hyrave nga interesi për 0.5 milionë euro në 10.5 milionë euro gjatë TM2 2021”, thuhej në raportin e BQK-së për tremujorin e dytë të këtij viti.
Theksojmë se këto janë të dhëna vetëm deri në fund të muajit tetor, pasi Banka Qendrore e Kosovës ende nuk ka publikuar informatat mujore për muajin nëntor dhe dhjetor të këtij viti, prej të cilave pritet një fitim edhe më i lartë i këtyre institucioneve mikrofinanciare.
Ndryshe, në Kosovë funksionojnë gjithsej 30 institucione mikrofinanciare, ku 12 prej tyre janë në pronësi të huaj. Numri i degëve të këtyre institucioneve në vend është 158, ndërsa numri total i të punësuarve është 1 mijë e 284. (Blendrita Avdiu) /Buletini Ekonomik/