Kriza energjetike ka vënë në një situatë të vështirë një investitor gjerman që ka të shtrirë kapitalin në Kosovë që nga viti 2014.
Është kjo kompania “Heinze”, që merret me prodhimin e produkteve të plastikës dhe e cila ka të punësuar 20 punëtorë në Kosovë.
“Heinze”, nga Kosova eksporton produktet e saj në vende të ndryshme të botës, deri në Amerikë.
Fitim Hoti, menaxher i kompanisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se si pasojë e problemeve me energji elektrike, me shumë vështirësi janë i duke furnizuar me produkte kompanitë me të cilat kanë kontrata.
“Po bëhen 20 vjet dhe i njëjti problem me rrymë. Nëse ndalet 2 orë jemi në rregull, por kur të vijë rryma, të jetë stabile. Me tensionin e ulët, siç po vjen, nuk mund të ndizet asnjë makinë”, thotë Hoti.
Ai thotë se kanë kërkuar ndihmë nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), por nuk u është bërë zgjidhje.
Kjo situatë me energjinë elektrike në Kosovë, duket të mos jetë fare e mirë për një investitor gjerman, i cili, siç thotë Hoti, edhe mund të largohet.
“Është rrezik që mund të ikin dhe të shkojnë në Maqedoni të Veriut, atje është stabiliteti më i madh”, thotë Hoti.
Me problemin e ngjashëm, siç është aktualisht gjendja e furnizimit me energji elektrike, kompania “Heinze” ishte përballur edhe në vitin 2020.
“Me shumë vështirësi kemi arritur ta bënim një eksport te një kompani, me të cilën kishim kontratë për furnizim me produktet të plastikës”, tregon ai.
Mungesa e furnizimit të rregullt me energji elektrike është një nga problemet që po e përcjell Kosovën që nga periudha e pasluftës (1999).
Gjatë viteve të fundit, gjendja ishte përmirësuar, por situata është rënduar ditëve të fundit, kur kriza globale energjetike goditi edhe Kosovën.
“Frutex” në përgatitje të padisë për KEDS-in
Problemet me energji elektrike kanë goditur edhe kompaninë “Frutex” në Suharekë.
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se i janë shkaktuar mijëra euro dëme në makineri për shkak të rrymës.
“Ne për katër ditë pothuajse për asnjë moment nuk kemi pasur energji elektrike. Edhe kur ka pasur energji elektrike, ka qenë e tensionit të ulët dhe ne është dashur të vazhdojmë punën me gjeneratorë. Kjo shkakton probleme në linjat e prodhimit”, thotë Palushi.
Për dëmet që i janë krijuar kompanisë, Shaqir Palushi është në përgatitje e sipër të një padie për KEDS.
“Ne jemi parapagues të rregullt të rrymës dhe një furnitor kur nuk e përmbush kontratën, duhet të përballet edhe me padi, pasi që edhe ne kemi obligime ndaj blerësve tanë”, thotë ai.
KEDS/KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, ka për obligim furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Zeka: Energjia jostabile po dekurajon investitorët
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se furnizimi stabil me energji elektrike është një nga faktorët më të rëndësishëm në funksionimin e bizneseve.
Mungesa e këtij produkti, shton Zeka, po dekurajon investitorët ndërkombëtarë të vijnë në Kosovë.
“ Kriza aktuale energjetike dhe mosveprimi i institucioneve të vendit për të evituar krizën aktuale që së paku e njëjta të mos përkthehet në vështirësi të operimit të bizneseve, qofshin ata investitorë të jashtëm apo të brendshëm, dekurajojnë investitorët që kanë vendosur të investojnë apo edhe ata të tjerët që kanë konsideruar që të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë “, thotë Zeka.
Lajmet në media ndërkombëtare se Kosova është në krizë të thellë energjetike dhe ka mungesë të furnizimit, shton Zeka, e rëndojnë imazhin para investitorëve të huaj.
Problemi me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë ishte theksuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve të publikuar në vitin 2020.
Në këtë raport thuhej se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por një nga problemet që e pengon ardhjen einvestitorëve të huaj në Kosovë është edhe furnizimi jo i besueshëm i energjisë.
Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Aktualisht, prodhohen deri në 600 megavatë rrymë në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.
Kriza globale energjetike ka nisur tash e sa muaj, kryesisht për shkak të mungesave të gazit dhe rritjes së çmimeve të gazit.
Pak investime ndërkombëtare
Sipas të dhënave të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), dërguar Radios Evropa e Lirë, përgjatë periudhës janar – shtator 2021, shuma zyrtare e investimeve të huaja është 321.8 milionë euro.
Nëse krahasohen me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Serbia në Kosovë, investimet e huaja janë shumë më të ulëta.
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, në Serbi, në formë të investimeve të huaja gjatë vitit 2020 kanë hyrë 3.4 miliardë dollarë, derisa në Shqipëri janë investuar 1.1 miliard dollarë.