Kosova mund të fitojë afro katër miliardë euro nëse heq dorë nga përdorimi i thëngjillit deri në vitin 2030-të.
Vendi ynë pritet të përfitojë 23.8 përqind nga fondi prej 17.5 miliardë eurosh i quajtur “Fondi i Tranzicionit të Drejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor”, i themeluar nga Bashkimi Europian bazuar në Marrëveshjen e Parisit.
Kështu thuhet në një analizë të publikuar nga The Green Tank (Athinë) dhe CEE Bankwatch Network (Pragë), dy rrjete këto që përbëhen nga ekspertë të shquar të energjisë.
Sa i përket energjisë elektrike, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështetën prej shumë kohësh në thëngjill, raporton Klan Kosova.
Mirëpo kur komuniteti ndërkombëtar po mobilizohet për të trajtuar krizën klimatike, thëngjilli po bëhet joekonomik dhe termocentralet e vjetruara të rajonit do të duhet të mbyllen në vitet në vijim.
Politikat e reja klimatike të Bashkimit Evropian të dizajnuara për ta bërë energjinë e thëngjillit më të shtrenjtë dhe përfundimisht të vjetërsuar – nga objektivat klimatike të BE-së për vitin 2030 deri te Mekanizmi i planifikuar i Rregullimit të Kufirit të Karbonit, do të ndikojnë në energjinë elektrike me bazë thëngjilli të importuar nga Ballkani Perëndimor dhe do të çojnë në një reduktim gradual të prodhimi të thëngjillit në rajon.









