Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka njoftuar se partia e tij ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Tahiri ka shkruar në Facebook se rritja e energjisë po i godet qytetarët dhe ekonominë e tyre familjare.
“Përcaktimi i qeverisë për të rritur çmimin e energjisë elektrike, jo veç që shënon rritjen më të madhe të kostos së rrymës në historinë e Kosovës, por vjen në një moment të tillë për të shënuar edhe goditjen më të ashpër ndaj qytetarëve dhe ekonomive familjare”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri ka deklaruar se për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme është koordinuar edhe me shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së.
“Në koordinim me kryetarët e grupeve parlamentare, z. Arben Gashi dhe z. Besnik Tahiri, në emër të dyzet deputetëve të Kuvendit, sot shtrova kërkesën për mbajtjen e Seancës së Jashtëzakonshme për ditën e hënë, nga ora 12:00. Në këtë seancë të jashtëzakonshme, ne do të debatojmë e do ta ballafaqojmë qeverinë me realitetin e qytetarëve, mbi gjendjen dhe vështirësitë e të cilëve, ajo tashmë nuk ka kurrfarë ndjeshmërie”, ka shkruar Tahiri.