Nuk janë dorëzuar ende tek komunat, faturat e vitit aktual për taksën vjetore komunale.
Nga Komuna e Prishtinës thanë se janë njoftuar për vonesën, por që nuk dinë se kur do të t’i kenë ato.
“Jo vetëm Komunës së Prishtinës, por, të gjitha Komunave të Kosovës, me datë 05.01.2022 u është dërguar njoftimi nga përgjegjësit e Departamentit të Tatimit në Pronë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ku është sqaruar se faturat për vitin 2022 janë në proces të përgatitjes për llogaritjen e tatimit në prone”, thanë nga zyra për media në kryeqytet.
Sportelet e zbrazura u panë edhe në Komunën e Fushë Kosovës.
Sipas zëdhënësit Ali Topalli, mungesa e tarifave tatimore është mjaft shqetësuese, transmeton Klan Kosova.
“Është pak shqetësuese ky problem, sepse në vitin 2021 ne nga tatimi në prona kemi arrit që prej 650 mijë euro të planifikuara, të tubojmë 1 milion euro”, tha Topalli
Faturat sipas tij, në vitet e më parshme dorëzoheshin nga datat 3 deri më 5 janar.
Ndërsa, zyrtar të komunave nga Ferizaj, Gjakovë e Malishevë, i thanë Klanit se kanë qenë në kontakt me Ministrinë e Financave, por që iu është thënë se duhet të presin deri në fund të muajit.
Televizioni gjatë dy ditëve tentoi të marrë një përgjigje edhe nga MF, por pavarësisht premtimit, një gjë e tillë nuk u bë.