Përmes një vendimi të sotëm nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës, është vazhduar subvenciomi i policave kufitare për mërgimtarët edhe për një vit të plotë.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Albin Kurti tha se ky subvencionim i ri i policave kufitare do të vlejë deri në dhjetor të vitit 2022.
Ndërkaq, Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, tha se njëherë subvencionimi i këtyre policave do të vazhdohet deri në fund të këtij viti, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
“Me këtë propozim-vendim kemi të bëjmë me një vendim të pakos së ringjalljes ekonomike që duhet të vazhdohet sepse kemi të bëjmë me një vit të ri fiskal dhe kemi paraparë që duhet të vazhdohet subvencionimi i policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, është shprehur ministri Murati.
Për këtë qëllim, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjithsej 3,000,000 euro euro, si zbatim i vendimit të Qeverisë i lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, Masa 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”./Buletini Ekonomik/