Gjithsej 2 mijë e 416 ndërmarrje të reja i janë bashkuar tregut ekonomik në Kosovë, vetëm gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021, ose më saktësisht, gjatë muajve tetor-nëntor-dhjetor 2021.
Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), krahasuar me tremujorin paraprak të të njëjtit vit (TM3 2021), ka pasur rënie për -2.6% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2020), më 2021 ka pasur rënie për -18.7% të ndërmarrjeve të regjistruara, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërsa, ndër aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 646 ndërmarrje të regjistruara apo 26.73%, që në të njëjtën kohë vit pas viti është sektori që regjistron më së shumti ndërmarrje të reja në vend, pastaj prodhimi me 296 ndërmarrje të regjistruara apo 12.25%, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 251 ndërmarrje të regjistruara apo 10.38%, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 237 ndërmarrje të regjistruara apo 9.80%, ndërtimtaria me 183 ndërmarrje të regjistruara apo 7.57%, etj.
Prej kategorisë për numër të punëtorëve, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë regjistruar gjithsej 2,314 ndërmarrje apo 95.78 % e të gjitha ndërmarrjeve të reja të regjistruara, me 5 deri 9 të punësuar ishin 58 sosh (2.4%), me 10 deri në 19 të punësuar ishin 29 ndërmarrje të regjistruara (1.2%), me 20 deri 249 të punësuar ishin 15 ndërmarrje të regjistruara (0.6%), ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje.
E të gjitha këto ndërmarrje të reja të regjistruara, kishin cak lokacioni më së shumti tri qytetet më të mëdha industriale në Kosovë, si: Prishtinën, Ferizajin dhe Prizrenin. Ashtu si në çdo tremujor tjetër, edhe kësaj radhe mbizotëron komuna e Prishtinës me 765 ndërmarrje të regjistruara (31.66%), pastaj Ferizaji me 234 ndërmarrje të regjistruara (9.69%), tutje Prizreni me 169 ndërmarrje të regjistruara (7%), Gjilani me 136 ndërmarrje të regjistruara (5.63%), Peja me 125 ndërmarrje të regjistruara (5.17%), dhe Fushë Kosova me 117 ndërmarrje të regjistruara (4.84%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor. /Buletini Ekonomik/