Vetëm për dy muaj, mbi 120 mijë qytetarë të Kosovës aplikojnë për viza të punës

105.601 qytetarë të Kosovës vetëm në dhjetor 2021 e janar 2022 kanë aplikuar për vizë punë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Kurse, në Ambasadën e Zvicrës  kanë aplikuar mbi 12 mijë qytetarë.  Mbi 6 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë në Ambasadën e Kroacisë.  Edhe një numër i madh i qytetarëve kanë aplikuar në ambasada të tjera. Krejt kjo po behët në kërkim të një jete më të mirë e page më të mira.

Numri i qytetarëve të Kosovë që aplikojnë për viza në shtetet e Bashkimit Evropian po vazhdon të rritet çdo ditë.

105.601 qytetarë të Kosovës vetëm në dhjetor 2021 e janar 2022 kanë aplikuar për vizë punë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

Kurse, në Ambasadën e Zvicrës  kanë aplikuar mbi 12 mijë qytetarë.  Mbi 6 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë në Ambasadën e Kroacisë.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka dhënë sqarime lidhur me lëshimin e vizave të punës për kosovarët.

Kjo ambasadë ka theksuar se që nga 1 janari 2021 është në fuqi pjesa vijuese e “Rregullores për Ballkanin Perëndimor”, që nënkupton se deri më 31.12.2023 shtetasit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, kanë një qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi i njohur në Gjermani.

“Kusht për dhënien e vizës mbetet miratimi i Agjencisë Federale të Punës. Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25.000 miratime për aplikacione të tilla, 5.500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara para pandemisë”.

Tutje, thuhet se për shkak të kërkesës tejet të madhe për aplikime për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm kuotat që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto kuota jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit.

“Për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 ambasada i ka pranuar 56.639 aplikime dhe në janar të këtij viti gjithsej 48.962 aplikime. Nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjedhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm. Në vitet e kaluara ambasada i ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza, ashtu që zyra e vizave tani është një nga zyrat më të mëdha gjermane në mbarë botën. Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes fatkeqësisht nuk mund të mënjanohet”.

Në Ambasadën e Zvicrës për viza kanë aplikuar 12 mijë e 118 kosovarë, në periudhën tetor-dhjetor 2021.

Nga kjo ambasadë kanë treguar edhe kategorinë e aplikuesve dhe ndarjen me numër sipas aplikuesve.

“Gjatë periudhës tetor – dhjetor 2021 Ambasada e Zvicrës në Prishtinë, e cila përfaqëson Zvicrën, Belgjikën, Francën, Austrinë, Holandën, Luksemburgun në çështjet e vizave C i ka lëshuar 11 mijë e 474 viza dhe 644 vizë kombëtare D”,

Drejtori i Hulumtimeve nga Instituti GAP, Jeton Mehmeti, ka thënë se numri i kërkesave për leje pune të paraqitura nga qytetarët e Kosovës në Agjencinë Federale të Punësimit të Gjermanisë përbën 30% të të gjitha aplikacioneve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Pesë sektorët me rrezikun më të lartë të ikjes së fuqisë punëtore janë TIK-u, gastronomia, inxhinieria dhe kujdesi shëndetësor. Në bazë të anketave me të punësuar në sektorin privat del se ndër arsyet kryesore të emigrimit janë: pagat e ulëta, kushtet e këqija të jetesës dhe mungesa e mundësive në Kosovë”.

Ndërsa, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka kritikuar Qeverinë Kurti për heshtje karshi ikjes së qytetarëve.

“Përse kjo heshtje? A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyjnë ta lëshojnë vendin? Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë”, ka shkruar Haradinaj.

Ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian që janë në Kosovë, përfshirë ato që japin viza për zonën Shengen, vazhdojnë të japin viza udhëtimi për qytetarët që synojnë bashkimin familjar, për biznese, punë, viza për studentë, turistike dhe për raste të caktuara urgjente.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, të cilit nuk është miratuar ende liberalizimin e vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimit Evropian. Vendimi për këtë çështje ka ngecur për shkak të skepticizmit që kanë shfaqur shtetet si Franca dhe Holanda.